Qytetarët në protestë poshtë zyrës së tij, Rama u përgjigjet nga Facebook: Ja pse e shesim naftën dhe energjinë

Kryeministri Edi Rama ka dalë sot në një prononcim për krizën energjetike. Ai tha se irritimi i tyre është i drejtë, ndërsa shtoi se ajo që ka rëndësi është që të bashkohen me faktet.
Sipas Ramës, Shqipëria nuk prodhon naftë për disel, por për bitum, e nëse nafta e prodhuar prej nesh do të hidhej në makinë, brenda javës ato, sipas kryeministrit, do të përfundonin për skrap.
“Kur më shan hajdut, thjesht shoh një hajdut më shumë që shan se më ka mësuar Kanti kush të shan pa prova ose e ka bërë vetë, ose është gati ta bëjë vetë. Siç thash nuk janë problem as mallkimet e sharjet në situata të tilla. Problemi themelor është bashkimi te e vërteta dhe faktet. I kam ndjekur me kujdes reagimet tuaja, që pas konferencës për shtyp ku folëm me fakte e shifra të vërteta për thellimin e krizës dhe masat tona për mosrritjen e çmimit. Çmimi i naftës rritet duke e rritur valën e natyrshme të shqetësimit. Disa kanë bërë ironi dhe përqeshje, por për çfarë bashkimi flet, ti je sipas tyre në rehatinë tënde. Nëse do të isha në rehatinë time nuk do të isha në këtë detyrë, ku jam njeriu i fundit që i pres me qetësi rritjet e çmimeve dhe të gjitha problemet e tjera që krijohen. Apo që nuk do të rriten të ardhurat. Mbase është e nevojshme të shpjegohet se çfarë duhet të them me bashkimin. Mund të jemi të ndarë me opinionet, me si ta zgjidhim këtë e atë.
Nuk mund të kemi fakte alternative. Problemi me energjinë dhe naftën është se ne i kemi mjaftueshëm, por fajin e ka qeveria që i shet jashtë. Kjo premisë e gabuar. Nuk kemi mjaftueshëm energjinë, as kur jemi në kulmin e prodhimit. Ne nuk kemi naftë për disel apo benzin, nafta jonë është e rëndë që shitet për bitum.
Nëse nafta jonë do të futej në pompa, për një javë do i çonte për skrap makinat tona. Disa këmbëngulin në një fakt alternativ, që ne e blejmë shtrenjtë dhe e shesim lirë sepse e vjedhin politikanët”, tha Rama.




