Aktualitet

Kërcënimi i prokurorëve, Çela: Fakte të rënda dhe duhen ndëshkuar, nuk duhet të lejojmë të njollosin…

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka komentuar sot kërcënimet ndaj prokurorëve, të bëra publik vetëm pak ditë më parë.

Kjo pasi nga dëshmia e të penduarit të drejtësisë Artan Tafani, Laert Haxhiu kishte kërkuar eleminimin e dy prokuroreve, Doloreza Musabelliu dhe Merita Selimi.

Çela teksa i konsideroi si fakte të rënda dhe që duhet të  ndëshkohen, shtoi se “këto janë pengesa që mund t’i kapërcejmë vetëm duke qëndruar së bashku, përmes përkushtimit ndaj detyrës nga secili prej nesh”.

Deklarata e Çelës, u bë te Asambleja e Përgjithshme e Prokurorëve ku do zgjidhen 3 anëtarët e rinj të KLP.

“Këto ditë kushdo ka ndjekur me shqetësim njoftimet për jetën e rrezikuar të dy kolegeve tona për shkak të detyrës. Ndërsa nga njëra anë këto fakte janë të rënda dhe duhet të marrin ndëshkimin sipas ligjit, nga ana tjetër duhet të na bëjnë më solidarë me njëri tjetrin e të kuptojmë se këto janë pengesa që mund t’i kapërcejmë vetëm duke qëndruar së bashku, përmes përkushtimit ndaj detyrës nga secili prej nesh. Vetëm ky qëndrim do të dekurajojë këdo që mendon se përmes kërcënimeve apo akteve të rënda të dhunës të drejtuara ndaj jetës së magjistratëve, mund të pengojë drejtësinë.

Po kalojmë një periudhë të vështirë, të shoqëruar prej vitesh tashmë me një besim të ulët të opinionit publik tek ne. Nuk duhet të lejojmë që disa fenomene negative, të njollosin dhe njëkohësisht të dobësojnë angazhimin tonë të përbashkët në shërbim të drejtësisë. Vendi ka nevojë për magjistratë të pavarur nga kushdo, që pikë referimi kanë kushtetutën dhe ligjin, dhe kanë kurajon dhe energjinë të përballen me sfidat e profesionit të vështirë që kanë zgjedhur.

Megjithë sa më sipër, ka edhe plot arsye pse ne duhet të ndihemi krenarë për atë që bëjmë çdo ditë në punën tonë. Dua të sjell në vëmendjen e gjithsecilit brenda apo jashtë kësaj salle se janë dhjetëra mijëra vepra penale që hetohen nga ju dhe janë po dhjetëra mijëra autorë që marrin ndëshkimin çdo vit në gjykata falë punës suaj. Shumë kriminelë të rrezikshëm kanë vuajtur apo ende vuajnë dënimet për krimet e kryera falë punës shumëvjeçare të qindra magjistratëve. Çdo çështje e zgjidhur, sado e vogël apo e parëndësishme në dukje,është në fakt një akt drejtësie i kryer për qytetarët e këtij vendi. Ne prokurorët,do të vazhdojmë të kërkojmë të bëjmë më të mirën, të palëkundur në angazhimin tonë për drejtësinë. Ndaj ta shikojmë ditën e sotme si njëmundësi për më shumë normalitet. Ndryshimet janë përherë një shans i mirë për t’u përmirësuar dhe ecur përpara.

Në mbyllje të fjalës, dëshiroj t’i falënderoj kandidatët për angazhimin e tyre në këtë proces si dhe për integritetin e profesionalizmin e treguar gjatë fushatës që kanë zhvilluar e t’ju uroj atyre suksese”- u shpreh ai.

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button