PREZË : “Asnjë pensionist i vetëm” – Mesazhi i ndjerë i Taulant Ballës nga Kalaja e Prezës për familjet shqiptare

Në një atmosferë të ngrohtë dhe plot komunikim me qytetarët, Taulant Balla zhvilloi një takim me pensionistë në Kalaja e Prezës, duke vendosur në qendër të diskutimit mbështetjen sociale dhe mbrojtjen ekonomike për shtresat më në nevojë.
Gjatë bashkëbisedimit, u theksua se pensionistët dhe familjet në nevojë mbeten prioritet i politikave sociale të qeverisë. Një nga nismat më të reja që pritet të vihet në zbatim është krijimi i një skeme të re mbështetjeje përmes një karte të posaçme të shpenzimeve familjare, e cila do të bazohet tek shporta bazë e ushqimeve dhe produkteve të domosdoshme.
Sipas deklarimit të bërë në këtë takim, synimi kryesor i kësaj skeme është që të ardhurat e mbledhura nga taksat e qytetarëve të rikthehen drejtpërdrejt tek pensionistët, familjet në nevojë dhe fëmijët e tyre. Përmes kësaj karte, fondet do të përdoren vetëm për artikuj bazë ushqimorë dhe jetikë në çdo njësi tregtare apo dyqan ushqimor, duke garantuar që ndihma ekonomike të shkojë aty ku është më e nevojshme.
Një tjetër element i rëndësishëm i kësaj nisme lidhet edhe me formalizimin e ekonomisë. Çdo blerje e realizuar me kartën do të jetë e pajisur me TVSH, duke bërë që të ardhurat të rikthehen në buxhetin e shtetit dhe më pas të përdoren sërish për mbështetjen e shtresave sociale.
Takimi në Prezë u prit pozitivisht nga pensionistët, të cilët ndanë shqetësimet dhe vështirësitë e përditshme, ndërsa vlerësuan rëndësinë e politikave që synojnë rritjen e mbështetjes për qytetarët me të ardhura më të ulëta. Në një zonë me histori dhe traditë si Preza, mesazhi i solidaritetit social dhe kujdesit për familjet shqiptare mori një domethënie të veçantë.



