Vora News

Gjyqi në GJKKO/ Veliaj mungon në seancë: Nuk më janë vënë në dispozicion 24 fashikujt dhe provat digjitale

Në GJKKO ka nisur seanca e parë e gjyqit në themel për kryebashkiakun Erion Veliaj e të tjerë të pandehur në dosje që kanë kërkuar gjykimin me proces normal.

 Në një deklaratë për Gjykatën kryebashkiaku Veliaj shprehet se nuk do të jetë i pranishëm në seancë.

“Nuk do të jem i pranishëm pasi SPAK nuk ka zbatuar vendimin e Gjykatës për të dorëzuar fashikujt e munguar dhe provat dixhitale dhe të mundesojë të marr pjesë si njeri i lirë në sallën e gjyqit. Kërkoj të përfaqësohem nga avokati Plarent Ndreca”, ka deklaruar Veliaj.

Gjatë seancës, avokati i Veliajt kërkoi kohë shtesë për t’u njohur me materialet e dorëzuara.

Ashtu si relatuat, z. Veliaj ka pohuar se ende nuk i janë vënë në dispozicion të gjitha aktet, akte që ju morët vendim për t’ia vënë. Për të qenë të sinqertë, në orën 03:30 u njoftuam nga sekretaria gjyqësore se janë dorëzuar aktet. Veliajt duhet t’i lihet koha e nevojshme të njihet me to për të pasur mundësinë e një mbrojtjeje efektive”, u shpreh Ndreca.

Nga ana tjetër, prokurori i SPAK-ut, Olsi Dado, kundërshtoi kërkesën për shtyrje të seancës.

“Aktet proceduriale, që vendosi gjykata, u përkasin të pandehurve të tjerë. Bëhet fjalë për episode të veçanta, që u përkasin personave të veçantë. Nuk shoh arsye për të shtyrë seancën”, deklaroi Dado.

Pas shqyrtimit të kërkesës, trupi gjykues vendosi vijimin e seancës, duke argumentuar se materialet e kërkuara nuk përbëjnë shkak për ndërprerjen e procesit.

“Vënia në dispozicion e akteve të kërkuara, për nga natyra e tyre, nuk përbën shkak për ndërprerjen dhe shtyrjen e seancës”, u shpreh gjykata.

Kujtojmë se më 27 prill, dosja ndaj Veliajt u nda në dy fraksione, pasi u pranua kërkesa e 11 të pandehurve për gjykim të veçuar. Mes tyre janë biznesmeni Elman Abule dhe ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka, të cilët kërkuan gjykim të shkurtuar.

Procesi gjyqësor ndaj kryebashkiakut të Tiranës është parashikuar të zhvillohet çdo të martë në orën 10:00.

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button