Aktualitet

Kompanitë ajrore në alarm, rriten vjedhjet gjatë fluturimeve të gjata

Vjedhjet gjatë fluturimeve janë bërë kaq problematike në disa vende të botës, dhe veçanërisht në disa linja të caktuara.

Për të frenuar përhapjen e këtij fenomeni, kompanitë ajrore kanë filluar të vendosin në mënyrë të fshehtë roje në bord të avionëve të tyre.

Kjo masë u konfirmua për median italiane “Corriere.it” të paktën nga pesë administratorë delegatë të disa kompanive ajrore nga Azia dhe Evropa, në margjinat e punimeve të asamblesë vjetore të IATA-s, e cila u mbajt në Rio de Janeiro.

Por çfarë thonë njohësit e trafikut ajror dhe çfarë duhet të dinë pasagjerët

“Kriminelë të aftë”

Ata, si edhe të tjerët, kanë kërkuar anonimitetin për të mos u dhënë informacion kriminelëve dhe për të mos rrezikuar rezervimet e ardhshme.

“Në takimet tona javore tashmë bëjmë edhe analizën e linjave ajrore më të ekspozuara ndaj këtij fenomeni, i cili është objektivisht i vështirë për t’u menaxhuar”, tregon një tjetër administrator deleguar.

“Bëhet fjalë për kriminelë të aftë: ata arrijnë të kryejnë vjedhjet edhe në mes të ditës, me dhjetëra pasagjerë të zgjuar në bord.”

Vjedhjet gjatë fluturimeve janë bërë kaq të rëndësishme në disa zona të botës, dhe veçanërisht në disa linja të caktuara, sa që disa kompani ajrore kanë filluar të vendosin në mënyrë të fshehtë roje sigurie në bord të avionëve të tyre për të luftuar këtë fenomen.

Këtë e shpjegojnë për “Corriere” të paktën pesë administratorë delegatë të disa kompanive ajrore nga Azia dhe Evropa, në margjinat e punimeve të asamblesë vjetore të IATA-s që u mbajt në Rio de Janeiro.

Urgjenca e temës

Situata nuk është ende alarmante, sqarojnë të gjithë, por ka arritur në nivele të tilla sa që rreth tridhjetë linja ajrore nga e gjithë bota e kanë trajtuar çështjen e vjedhjeve në lartësi të mëdha disa javë më parë në Doha, Katar.

“Fatkeqësisht pothuajse çdo ditë marrim raporte nga udhëtarë që kanë denoncuar zhdukjen në fluturimet tona të sendeve me vlerë si portofola, laptopë, tabletë, telefona celularë dhe kufje”, rrëfejnë dy CEO.

Rritja e sendeve personale

Fenomeni i vjedhjeve gjatë fluturimeve është shfaqur veçanërisht pas pandemisë, siç raportoi “Corriere” në vitin 2024. Sipas CEO-ve dhe personelit të sektorit, ai është përkeqësuar me rritjen e ndjeshme të pasagjerëve që udhëtojnë vetëm me bagazh dore, përveç një çante shpine ose çante të vogël.

“Në këtë moment po rritet numri i valixheve potencialisht tërheqëse për hajdutët”, thonë menaxherët e konsultuar.

Hapësira në dollapët e sipërm

Rreziku shtohet edhe nga fakti se në shumë raste valixhet me rrota, për arsye hapësire, nuk vendosen në dollapin sipër sediljes së pasagjerit, por disa rreshta më larg, duke “hequr kështu çdo mundësi për kontroll të vazhdueshëm të sendeve personale”.

Me një mesatare prej 155 personash në bord, “është e pamundur që pasagjerët e tjerë të kuptojnë nëse dikush po manipulon valixhen e tyre apo të dikujt tjetër”.

Vështirësia për të identifikuar autorin

Dhe kur vjedhja zbulohet gjatë fluturimit, nuk është aspak e lehtë të identifikohet autori. Për këtë diçka dinë mirë mbi 250 pasagjerët e fluturimit Cyrih–Hong Kong të 22 janarit të kaluar.

Kur një pasagjer denoncoi zhdukjen e një sendi personal, pilotët kërkuan praninë e policisë në mbërritje. Në atë moment, forcat e rendit kontrolluan të gjithë pasagjerët përpara zbarkimit.

Azia më e goditura

Nick Careen, zëvendëspresident i lartë për operacionet, sigurinë dhe mbrojtjen në IATA, e konfirmon fenomenin dhe, në margjinat e punimeve të shoqatës së kompanive ajrore, thekson se “ai priret të prekë tregje të caktuara”.

“Azia është zona më shqetësuese dhe në shumë raste bëhet fjalë për një aktivitet të organizuar.”

Janë veçanërisht fluturimet e gjata dhe ato të natës që janë në shënjestër të hajdutëve, thonë CEO-të e konsultuar, të cilët shtojnë se viktimat duket se përzgjidhen pak para hipjes në avion.

“Sentinela” në bord

Prej këtej vjen nisma e disa kompanive ajrore, sidomos aziatike, për të futur në fluturime të ekspozuara ndaj këtij fenomeni një punonjës sigurie.

Një “sentinelë” që nuk dallohet, që sillet si një pasagjer i zakonshëm — siç ndodh prej kohësh me policë të fshehtë në disa linja të ndjeshme për çështje terrorizmi — por që në realitet mbikëqyr dhe përpiqet të kuptojë nëse në bord ndodhet një hajdut.

Çfarë ndodh në Evropë

Çështja po prek gjithnjë e më shumë edhe Evropën, sipas dy CEO-ve të kompanive low-cost që raportojnë rritje të sinjalizimeve dhe denoncimeve.

Sipas tyre, nuk duket se ka një treg më të prekur se të tjerët, “sepse hajdutët lëvizin në të gjithë Bashkimin Evropian, shpesh duke fluturuar 2–3 herë në ditë dhe me linja të ndryshme ajrore, në një sistem ku nuk ekzistojnë kontrolle kufitare”.

Linjat më të ekspozuara

Veçanërisht të ekspozuara deri tani duken linjat turistike dhe ato “business”.

“Sipas të dhënave tona të brendshme, vërehet një korrelacion i fortë mes pranisë së udhëtarëve të disa etnive dhe raportimeve për zhdukjen e sendeve me vlerë”, pohojnë dy administratorë delegatë të kompanive low-cost, të cilët megjithatë refuzojnë të japin detaje të tjera për autorët.

Heshtja dhe mungesa e statistikave

Aktualisht nuk ekzistojnë statistika të besueshme në nivel kombëtar apo ndërkombëtar. Kompanitë ajrore dhe autoritetet priren të mos i bëjnë publike për disa arsye: ndjeshmëria e temës, imazhi publik i kompanive dhe vështirësia për të mbledhur të dhëna të sakta e të përditësuara.

Për më tepër, shpesh viktimat e kuptojnë vjedhjen vetëm pas uljes së avionit dhe jo gjithmonë e denoncojnë.

Ndarja e praktikave më të mira

“Po përpiqemi të kuptojmë se si ta menaxhojmë sa më mirë dhe të ndajmë praktikat më të mira”, vijon Careen.

“Disa kompani ajrore janë më të afta se të tjera në këtë drejtim, sa i përket menaxhimit dhe kontrollit të kabinës, përfshirë edhe praninë e sigurisë në bord për të monitoruar aktivitetin dhe për të siguruar që fenomeni të reduktohet”, thotë ai, pa dhënë megjithatë shumë detaje.

Hapat e ardhshëm

Shefi i sektorit të sigurisë në IATA sqaron gjithshtu se “nuk bëhet fjalë për një fenomen të përhapur masivisht, por është mjaftueshëm domethënës për të shtyrë kompanitë ajrore të kërkojnë një seancë të veçantë për këtë çështje”.

“Nuk ka synim për ndërhyrje të mëtejshme”, vlerëson Careen. Por gjithçka do të varet nga mënyra si do të evoluojë situata, nëse do të ulet apo do të përkeqësohet. Në atë rast, do të duhet ndërhyrje.

Këshillat

Çfarë mund të bëhet? Rekomandimet bazohen në sensin e shëndoshë:

-Të mbahen sendet me vlerë gjithmonë me vete (jo në dollapët sipër sediljes, edhe nëse bagazhi është mbi kokë ose pak më përpara)

-Të përdoren dryna ose pajisje kundër vjedhjes në valixhen e dorës

-Të tregohet kujdes gjatë fluturimit, sidomos kur pasagjerët janë të lodhur dhe duan të flenë

-Të kontrollohet gjithmonë në fund të fluturimit nëse mungon diçka, për ta raportuar menjëherë vjedhjen

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button