Firmosja e marrëveshjes në Uashington, Rama: Krah SHBA për ruajtjen e trashëgimisë kulturore

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka firmosur sot në Washington D.C. një Marrëveshje Mirëkuptimi në lidhje me vendosjen e kufizimeve në importin e kategorive të materialeve arkeologjike dhe etnologjike
të Shqipërisë, gjatë një takimi me Ndihmës Sekretarin e Shtetit në detyrë Matthew Lussenhop. Përmes kësaj marrëveshjeje synohet forcimi dhe zgjerimi i bashkëpunimit midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në luftën kundër vjedhjes dhe trafikimit të objekteve kulturore nga vendi ynë.
Një hap të rëndësishëm e ka quajtur kryeministri Edi Rama memorandumin e mirëkuptimit mes Shqipërisë dhe SHBA në luftën e përbashkët kundër trafikimit të objekteve të trashëgimisë kulturore.
Teksa ka ndarë pamjet nga momenti i nënshkrimit të këtij memorandumi nga ana e ministres së Kulturës Elva Margariti, Rama shkruan se Shqipëria radhitet në krah të SHBA për një qëllim madhor.
“Një hap i rëndësishëm në përforcimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kësaj here përmes Memorandumit të Mirëkuptimit në luftën e përbashkët kundër trafikimit të objekteve të trashëgimisë kulturore.
Shqipëria radhitet në krah të SHBA për një qëllim madhor, atë të ruajtjes së trashëgimisë kulturore”, shkruan Rama.




