Aktualitet

Evakuohen 53 familje, Shtabi i Emergjencave: Situatë problematike në Shkodër dhe Lezhë

Si pasojë e reshjeve intensive në vend situata më problematike paraqitet veçanërisht në qarqet e Shkodrës dhe Lezhës. Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në Agjencinë e Mbrojtjes Civile, është bërë evakuimi i 50 familjeve në bashkinë Shkodër dhe 3 familjeve në fshatin Gruemirë, bashkia Malësi e Madhe. Të evakuuarit janë strehuar në konviktet e shkollave dhe pranë të afërmve të tyre.

Një familje është evakuuar nga fshati Mabe, në Lezhë, të cilët janë strehuar tek të afërmit e tyre.

Mbi 240 efektivë të Forcave të Armatosura, me 25 motomjete dhe pajisje të posaçme për përmbytjet janë përqendruar në këto dy qarqe, në ndihmë edhe të forcave të tjera operacionale.

Punonjësit e ARRSH janë në terren për të pastruar akset e bllokuara. Është bërë i mundur kalimi i banorëve të zonave ku ka probleme edhe me rrugë të tjera alternative.

Në aksin rrugor Shkodër- Lezhë, në vendin e quajtur “Harku i Bërdicës”, kalimi bëhet në drejtim të Gurit të Zi. Po ashtu është normalizuar situata në aksin e vjetër Milot-Burrel, ku pati rënie gurësh.

Furnizimi me energji është i garantuar në pjesën më të madhe të zonave, ku ka patur dëmtime nga reshjet, pas një pune të pandërprerë nga punonjësit e OSHEE në terren.

Situata po ndiqet me vëmendje edhe në bashkitë e tjera të vendit si në atë të Dibrës, Kukësit, Tropojës, Durrësit, Tiranës, etj.

Efektivët e Forcave të Armatosura, nën koordimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, të gjitha kapacitetet e shërbimit zjarrfikës, Policia e Shtetit, strukturat e emergjencave civile, shërbimi mjekësor janë të gjithë të angazhuar në terren në çdo rast nevoje.

Ministria e Mbrojtjes u bën thirrje banorëve të zonave më të prekura nga reshjet, të bëjnë kujdes gjatë këtyre orëve kritike, të kërkojnë ndihmën e autoriteteve në çdo rast dhe pa vonesë.

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button