Aktualitet

Tirana nderon Ali Ahmetin me titullin “Qytetar Nderi”, Veliaj: Ali Ahmeti, frymëzues dhe misionar, do të mbetet në historinë e gjatë të kombit dhe qytetit tonë

Bashkia e Tiranës nderoi sot në një ceremoni të posaçme kreun e Partisë së Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, të cilit i dha titullin “Qytetar Nderi”, në shenjë mirënjohje për kontributin e tij ndaj bashkësisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Të pranishëm në këtë ceremoni nderimi ishin Kryeministri Edi Rama, ish Presidentët Alfred Moisiu dhe Bamir Topi, si dhe personalitete të tjera të rëndësishme shqiptare.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se është nder i veçantë që, një mik, frymëzues dhe misionar si Ali Ahmeti ndodhet sot në kryeqytetin shqiptar dhe i bashkohet Tiranës si qytetari më i ri. “Është një nder i veçantë që sot, miku, vëllai, frymëzuesi, misionari, kryetari Ali Ahmeti dhe familja e tij e bukur na është bashkuar, teksa do jetë qytetari më i ri i Tiranës sonë të madhe. Tirana, siç e përmendim ne në zhargonin tonë, i ka me pikatore qytetarët e nderit. Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Kristo Frashëri, Adem Demaçi, për të përmendur disa dhe sot do i bashkohet këtij gjerdani të njerëzve që e nderojnë qytetin tonë, me qytetarinë e nderit, kryetari ynë, lider, misionar, frymëzues, Ali Ahmeti”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku nënvizoi faktin se Ali Ahmeti do të mbetet në historinë e gjatë të kombit shqiptar, por posaçërisht të kryeqytetit shqiptar. “Disa njerëz i hyjnë politikës duke pasur ndërmend një ekskursion shkurt në rrugët e saj, por pastaj dalin siç hyjnë, pa lënë asnjë shenjë, pa ngulitur asnjë gjurmë, pa lënë asnjë vepër në kujtesën e njerëzve. Disa i hyjnë politikës duke e përfytyruar si një aksesor, me të cilën thjesht do të shtojnë edhe një medalje në xhaketën e tyre apo një rresht në CV e tyre. Edhe këta të padukshëm dhe kollaj të harrueshëm në rrugëtimin e tyre. Disa të tjerë i hyjnë politikës të shtyrë nga një vokacion i brendshëm dhe bëjnë vepra, madje kryevepra. Këta janë ata që mbeten në histori dhe sot jemi dëshmitarë që Ali Ahmeti do të mbetet në historinë e gjatë të kombit tonë dhe sot posaçërisht të qytetit tonë. Ky është modeli i një politikani dhe i një aktivisti të vërtetë. Ky është modeli i Ali Ahmetit, politikanit për të cilin liria është një substancë e shpirtit dhe qenies së vet, sipas parimit të Hegelit, të atyre që e kuptojnë domethënien e lirisë. E dëshmon rruga e tij, jo thjesht e gjatë dhe intensive, por sidomos gjurmëlënëse”, tha Veliaj.

Mandej, ai shtoi se Ali Ahmetin nuk e ka ndalur askush, as burgu, as lufta, e as stërkëmbëshat e as ndonjëherë konfliktet. “Ky është miku i jashtëzakonshëm që është me ne sot, herë petrit, që fluturon lartësive të qiejve në kërkim të lirisë dhe herë burim jetëdhënës i shqiptarisë dhe atyre që e duan kombin tonë. Siç duket, edhe pseudonimet e tij Petrit dhe Burim në kohën e Luftës, nuk kanë qenë edhe aq të rastësishme. Në qëllimet që i ka vënë vetes Ali Ahmeti asgjë s’e ka ndalur asnjëherë, as burgu, as lufta, e as stërkëmbëshat e as ndonjëherë konfliktet mes nesh, edhe kur armikun s’e kemi jashtë. Fati që e ka udhëhequr rrugëtimin e tij, duke mos e lënë kurrë në baltë, ka qenë gjithnjë madhështia rëndësia dhe domosdoshmëria e qëllimit që duhej arritur. Sepse qëllimet e Ali Ahmetit janë qëllime nga ato që i bëjnë luftëtarët, udhëheqësit dhe politikanët të meritojnë fjalën e thjeshtë, por shumë të vyer, patriotë dhe atdhetarë”, tha Veliaj.

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button