Plaçkitet dhe digjet zyra e PS-së në Shkodër, policia ndërhyn me vonesë. Reagon Voltana Ademi: Nuk po kuptoj asgjë

Grupi i qytetarëve shkodranë që protestuan sot në Shkodër u futën brenda selisë së PS-së, nxorën gjithçka që kishte brenda, kompjutera, karrige e banderola dhe u vendosën flakën objekteve në rrugë.
Forcat speciale kanë ndërhyrë në Shkodër duke shpërndarë protestuesit me gaz lotsjellës dhe “spraj me piper”.
Në rrugët e qytetit protestuesit u vendosën flakën edhe disa banderolave dhe tabelave të reklamave.
Situata vijon që të jetë e tensionuar në Shkodër.
Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi reagon fuqishëm për mënyrën sesi po shkatërrohet qyteti.
“Është skandal shkatërrimi i selisë së Partisë Socialiste. Është e papranueshme. Keqbërës mund të ketë sa të duash, por kam përshtypjen se janë të futur”, – tha ajo.
“Si ka mundësi nuk është aty Policia e Shtetit për të ruajtur institucionet?”
“Jam në komunikim të vazhdueshëm me policinë e shtetit dhe sipas informacioneve që më thanë, më treguan se kanë urdhër të mos ndërhyjnë”.
“Por kjo nuk është e drejtë. Edhe unë e kam nxjerrë policinë bashkiake që të menaxhojë ata njerëz që duket se duan të vënë flakën e të shkatërrojnë. Madje në disa raste në qendër, njerëzit reaguan duke mos lejuar shkatërrimin. Unë kam një orë që kam lajmëruar policinë dhe ata nuk reagojnë”.
“Socialistë e demokratë në Shkodër nuk ndahen. Ne jemi shkodranë, dhe kjo është çështje e qytetit tonë. Nuk mund ta shkatërrojnë ata njerëz të future për të bërë veprime të tilla. Në Shkodër, institucionet i mbrojnë qytetarët, nuk i shkatërrojnë. Nuk e kuptoj sesi nuk reagojnë” i tha e revoltuar në linjë telefonike ‘neësbomb’-it, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi.
Protesta ka nisur prej orës 11:00. Në vendin e ngjarjes ndodhet edhe një ambulancë.
Në ditët e para, pas vrasjes së të riut janë zhvilluar disa tubime në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Fier, Korçë, Elbasan, Durrës, Lezhë dhe shumë qytete të tjera të vendit.
Ndryshe nga protestat e tjera që zhvillohen pasditeve, në Shkodër, ajo është zhvilluar paradite dhe është shoqëruar me akte dhune.




