Kodi i ri Penal/ Rama sqaron dhe mediat: Qeveria një nga palët, ky draft s’kalon në Parlament pa vulën e Brukselit! Po shkojmë drejt BE dhe jo ish-Bashkimit Sovjetik!

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot edhe për opinionet e kundërta që janë shprehur për Draftin me ndryshimet në Kodin e Ri Penal, përfshi edhe ato të shoqatave të gazetarëve që bënë thirrje për ndërhyrje urgjente.
Kreu i qeverisë sqaroi se ata nuk janë pjesëmarrës në hartimin e draftit, por një nga palët e përfshira, pasi ky proces është kryer nga ekspertët.
Me një postim në rrjetin social X, kreu i mazhorancës shprehet se ky Draft pasi të konsultohet dhe diskutohet nga të gjitha palët e ftuara, përfshi edhe Qeverinë, do të konsultohet gjithashtu edhe me Komisionin Europian dhe në fund për të marrë ‘vulën’ e BE-së, pasi pa vendimin e saj ky Kod nuk kalon.
“Pasi të bëhen të gjitha ballafaqimet e grupit të punës me të gjitha palët e interesuara dhe në pavarësi të plotë nga qeveria, Ministria e Drejtësisë do ta marrë draftin e rishikuar e do ta konsultojë natyrisht edhe me Komisionin Europian, sepse pa vulën e Brukselit drafti nuk shkon dot në parlament!”, shprehet kryeministri mes të tjerash.
Gjithashtu ai e mbyll statusin e tij edhe me një kujtesë për mediat dhe publikun, se Shqipëria po shkon drejt BE-së dhe jo ish-Bashkimit Sovjetik.
Postimi i plotë i kryeministrit Rama në rrjetin X:
Shoh që disa shoqata gazetarësh na kanë bërë një thirrje urdhëruese për të ndërhyrë urgjentisht në draftin e Kodit të Ri Penal, ç’ka tregon se ata që duhet të informojnë publikun për procesin e saponisur të diskutimit të këtij drafti nuk e kanë kuptuar akoma (edhe pse u tha shumë qartë nga ministri i drejtësisë) se Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Ministrave, nuk kanë marrë pjesë në hartimin e draftit po ia kanë besuar një grupi ekspertësh të nderuar, nën udhëhehjen e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, Profesor Arben Rakipit.
Kështu, hëpërhë qeveria është thjeshtë njëra nga shumë palët në këtë proces dhe e kemi marrë e po e studiojmë draftin, për të ballafaquar më pas qëndrimet tona me ato të grupit të ekspertëve, gjë që ua sugjerojmë edhe shoqatave të alarmuara për lirinë e shtypit, të cilat në këtë fazë, në vend se të alarmohen duhet të ndjehen shumë të lehtësuara e të respektuara, sepse kanë të gjithë kohën e nevojshme për ta studiuar e pastaj ballafaquar draftin e Kodit të Ri Penal me grupin e punës, njësoj siç do të bëjë qeveria e siç duhet të bëjnë të tëra palët e interesuara – sidomos ato brenda sistemit, të cilat në vend se të japin deklarata sa të nxituara aq edhe qesharake për shtyp, bëjnë mirë të ulen me grupin e ekspertëve dhe të ballafaqojnë opinionet e tyre.
Ky është një proces demokratik dhe transparent, ku kush do të kontribuojë për një Kod të Ri Penal për Shqipërinë 2030 në BE i ka rrugët e hapura e të gjithë kohën e nevojshme, ndërsa kush do të bëjë zhurmën e vet mund ta bëjë, se demokracia i ka edhe zhurmuesit e vet, po s’mund të thotë dot që s’na pyeti kush.
Pasi të bëhen të gjitha ballafaqimet e grupit të punës me të gjitha palët e interesuara dhe në pavarësi të plotë nga qeveria, Ministria e Drejtësisë do ta marrë draftin e rishikuar e do ta konsultojë natyrisht edhe me Komisionin Europian, sepse pa vulën e Brukselit drafti nuk shkon dot në parlament!
Kështu që miq të shoqatave të shtypit rrini të qetë se nuk ju vjen dot asnjë e keqe nga Kodi i Ri Penal, në Shqipërinë që po shkon në BE dhe jo në BRSS.




