Ekonomia

Administrata publike shtysë për rritjen e pagës mesatare me 11.7% në 3-mujorin e dytë

ritja e pagave në administratën publike ndikoi ritmet mesatare të pagës bruto në të gjithë ekonominë edhe në tremujorin e dytë të vitit 2025.

Sipas të dhënave të sotshme të INSTAT gjatë tremujorit të prill-qershor 2025, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në Shqipëri ishte 83.906 lekë, me një rritje prej 11,7%, krahasuar me tremujorin e dytë 2024 dhe 2% në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2025.

Aktivitetet ekonomike me pagë mesatare më të lartë se mesatarja  kombëtare ishin Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit, Informacioni dhe komunikacioni.

Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2024 rritja më e madhe e pagës, ishte në aktivitetin e Administratës publike, sigurimi social i detyrueshëm, arsimi, shëndetësia dhe aktivitetet e punës sociale me një rritje prej 16,9%.

Rritja më e vogël ishte në Aktivitetet financiare dhe të sigurimit me rreth 5,3%.

Profesionet me pagë mesatare më të lartë se mesatarja kombëtare ishin  Menaxherë, Ligjvënës, Drejtorë ekzekutivë dhe specialistë me arsim të lartë (profesionistë).

Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2024 rritja më e madhe e pagës, ishte në profesionin e Forcave të armatosura dhe Specialistë me arsim të lartë, me një rritje përkatësisht prej 23,2% dhe 13,6%.

Rritja më e vogël ishte në profesionin e Menaxherë, Ligjvënës, Drejtorë ekzekutivë me rreth 8,8%.

Sipas të dhënave, gjatë kësaj periudhe është vërejtur një ulje e numrit të punonjësve me pagë minimale dhe një rritje e numrit të punonjësve me paga më të larta. Shpërndarja aktuale është më e balancuar dhe më e përqendruar në kategoritë mesatare dhe të larta të pagës.

Në llogaritjen e pagës mesatare mujore bruto përfshihen vetëm numri i të punësuarve kontribuues me pagë të cilët punojnë 18 apo më shumë ditë gjatë muajit referencë. Këta kontribuues i përkasin të gjithë aktiviteteve ekonomike përfshi dhe aktivitetin e bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit që deklarohen në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

Paga mesatare mujore bruto përbëhet nga shtesa mbi pagë për funksione drejtuese, shtesa mbi pagë për vjetërsi në punë, shtesa mbi pagë për vështirësi në punë. Monitor

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button