Fjolla Morina arrestohet në Prishtinë
Ka përfunduar në prangat e Policisë së Kosovës mëngjesin e së hënës këngëtarja e njohur shqiptare Fjolla Morina. Telegrafi mëson nga burime të sigurta se ajo është arrestuar nga Policia e Kosovës në lokalin e saj në lagjen Emshir të Prishtinës.
Fjolla Morina ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, pasi mbi të rëndon akuza për trafikim të armëve dhe municionit në Shqipëri.
Kjo vjen si pasojë e një arrestimit të saj vitin e kaluar në pikën kufitare Kosovë-Shqipëri, ku ajo u kap me dy pistoleta në makinën e saj, shoqëruar nga dy persona të tjerë.
Morina u mbajt në arrest shtëpiak në Kukës për një muaj, ndërkohë vetëm në prill të këtij viti Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Kukës ka depozituar vendimin për shpalljen në kërkim ndërkombëtar.
Ajo u dënua në 25 mars nga Gjykata e Kukësit me 9 vite burgim, që pas zbritjes së 1/3 prej gjykimit të shkurtuar u bënë 6 vjet.