Escobar: Sanksionet janë një mjet i rëndësishëm në stabilizimin e Ballkanit, do të ketë më shumë
Përfaqësuesi Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, së fundmi ka deklaruar se sanksionet nuk janë mjeti kryesor i angazhimit amerikan në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por se ato kanë efekt dhe se do të ketë edhe të tjera.
Escobar në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, ka vlerësuar se korrupsioni është problemi kryesor në Ballkan.
Duke komentuar zgjedhjet e prillit në Serbi, Escobar tha se qeveria duhet të sigurojë të gjitha kushtet që ato të jenë të lira dhe të ndershme dhe theksoi se mediat private janë në favor të autoriteteve. Diplomati amerikan paralajmëroi gjithashtu një angazhim më intensiv amerikan në rajon në periudhën e ardhshme.
Ndërkohë i pyetur për sanksionet e vendosura ndaj anëtarit të Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik dhe dy zyrtarëve të tjerë boshnjakë, pastaj kundër Milan Radoiçiqit dhe Zvonko Veselinoviqit në Kosovë, ai theksoi nuk duhet të mendojmë se SHBA po angazhohet në rajon përmes sanksioneve.
I pyetur se cilat janë çështjet që e shqetësojnë më shumë sot në Ballkan, Escobar është përgjigjur:
Unë do të thoja se ka disa histori të shkëlqyera suksesi. Historia e ish-Jugosllavisë është një sukses. Nëse shikoni shtatë vendet që përbënin Jugosllavinë, dy janë në Bashkimin Evropian, katër janë në NATO. Dhe në Ballkanin Perëndimor, tre janë në NATO dhe katër po bëjnë përparim solid drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Megjithatë, ekziston një pengesë që është sfidë – korrupsioni. Korrupsioni është me të vërtetë arsyeja pse shumë vende nuk kanë bërë shumë përparim. Kjo është edhe arsyeja pse disa pjesë të rajonit kanë probleme demografike. Pra, duhet të jem i sinqertë, sa herë që takoj njerëz në diasporë, një numër i madh i njerëzve që largohen nga rajoni nuk largohen për shkak të problemeve etnike. Ata nuk largohen sepse nuk duan të jetojnë në shtete multietnike. Ata po largohen sepse nuk kanë mundësi për një të ardhme adekuate ekonomike pa lidhje korruptive.
Ndër të tjera ai ka theksuar se administrata në Uashington është shumë e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe se një nga mjetet në këtë luftë janë sanksionet.
“Dhe mund të them se do të ketë sanksione të tjera, por ky nuk do të jetë mjeti kryesor i angazhimit tonë”, ka thënë Escobar. Ndër të tjera ai shtoi se ato sanksione nuk kanë për qëllim vende apo popuj të caktuar, por, siç tha ai, individë që janë thellësisht të përfshirë në korrupsion.
I pyetur nëse njoftimi për më shumë sanksione vlen për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, ai ka thënë se po.
Escobar ka theksuar se tashmë politika dhe angazhimi i SHBA-së në Ballkanin Perëndimor kanë qenë tradicionalisht të lidhura me pajtimin multietnik dhe integrimin në BE, por se sfera e vëmendjes që ka marrë Ballkani Perëndimor në administratën amerikane ka ndryshuar vitin e fundit.
Escobar vuri në dukje se ka një përpjekje të ripërtërirë që Shtetet e Bashkuara të angazhohen në të gjithë mekanizmat që ishin të suksesshëm, dhe kjo, sipas tij, është të forcojë Marrëveshjen e Dejtonit, të mbështesë dhe rinovojë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe bashkëpunimin e ngushtë me partnerët e NATO-s dhe për të siguruar që ata të mund të përmbushin detyrimet e tyre të NATO-s.