Skandal në Maqedoninë e Veriut/ Dyshohet se shiti sekretet shtetërore te bandat kriminale, arrestohet truproja e kryeministrit Mickoski

Truproja personale e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski, Angel Saramakov është arrestuar dhe është dërguar në burgun e Shkupit ditën e sotme, ndërsa pritet që ndaj tij të ngrihet një kallëzim penal për zbulime të sekreteve zyrtare.
Sipas informacioneve nga policia, Saramakov dyshohet se në këmbim të parave ka ndarë sekretet zyrtare që posedonte me anëtarët e klanit mafioz Grërçec.
Saramakov është denoncuar disa herë në kontrollin e brendshëm dhe ai personalisht është ankuar se është degraduar dhe është paraqitur në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Diskriminimit. Deri në prill të vitit 2024 ka punuar në SPB të Velesit si inspektor i lartë për vepra pronësore, ndërsa nga prilli si inspektor për kontrolle në mjekësinë ligjore.