Aktualitet

GJKKO jep vendimin për fraksionin II të dosjes “5D”/Dënime për zyrtarë të Klubit Sportiv Tiranë

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dhënë vendimin për fraksionin e dytë të çështjes së njohur si dosja “5D”, duke shpallur fajtorë dhe dhënë dënime për disa zyrtarë të Klubit Sportiv Tirana dhe anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO).

Sipas vendimit të shpallur sot:

  • Deborah Keçi, drejtoreshë e Klubit Sportiv Tirana, u dënua me 1 vit burg, i cili u konvertua në 16 muaj shërbim prove. Ajo u shpall fajtore për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera”. Gjithashtu, gjykata vendosi heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
  • Teuta Guri u dënua me 9 muaj burg, por përfundimisht dënimi u reduktua në 6 muaj, të cilët do të zëvendësohen me 60 orë punë në interes publik brenda një afati 6-mujor.
  • Renaldo Gjerasi dhe Jetjon Mera u dënuan secili me 9 muaj burg, të cilët po ashtu u ulën në 6 muaj, me pezullim dhe zëvendësim me 60 orë punë në interes publik, brenda të njëjtit afat.

Afera e tenderit për palestrën e mundjes

Nga hetimet e kryera nga SPAK, rezulton se në dhjetor 2020, në një procedurë prokurimi për rikonstruksionin e palestrës së mundjes, autoriteti kontraktor – Klubi Sportiv Tirana – në bashkëpunim me anëtarët e KVO-së i ka dhënë avantazhe të padrejta operatorit “5D Konstruksion” sh.p.k. Kjo është konsideruar si shkelje e rëndë e parimeve të barazisë dhe konkurrencës së ndershme në tendera.

Gjykimi në themel për ish-drejtues të Bashkisë Tiranë

Ndërkohë, procesi ndaj pjesës tjetër të të akuzuarve në këtë çështje vazhdon. GJKKO ka rrëzuar kërkesën për ndarje të dosjes dhe vendosi që i gjithë grupi të gjykohet së bashku.

Në këtë grup përfshihen edhe ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë:

  • Redi Molla
  • Taulant Tusha
  • Mariglen Qato
    si dhe Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku dhe Nestor Muhametllari.

Këta ish-zyrtarë u arrestuan në mars 2024 me urdhër të Prokurorisë së Posaçme. Hetimet zbuluan se në periudhën 2016–2022 janë zhvilluar të paktën 11 procedura tenderimi në shkelje të ligjit, të cilat janë objekt i gjykimit në themel.

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button