Aktualitet

Dhuna në Komisariatin nr. 3, Lamallari për protestuesit: Udhëhiqen nga urrejtja e dhuna

Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari ka publikuar në rrjetet sociale sot në 5 korrik dëmet që kanë shkaktuar protestuesit mbrëmë tek komisariati numër 3 në Tiranë.

Lamallari shprehet se në këtë protestë është parë vetëm urrejtje dhe shfaqje dhune.

Ministri i cilëson protestuesit si “moralistë”, “kritikë gjithologë” dhe “revolucionarë delirantë”. Sipas tij, protestuesit po ndihmohen nga algoritmi për të krijuar një fushatë me helm, gjë që nuk ka vend në një Shqipëri europiane.

Postimi i ministrit të Brendshëm Besford Lamallari

Një shembull konkret i ciklit të dhunës që nis me urrejtjen e nxitur nga një deklaratë e papërgjegjshme në mëngjes ‘për prova dhune dhe gjaku’ por që u ndryshua në drekë, iu hodh ‘benzinë’ pasdite nga moralistët, kritikët gjithollogë dhe delirantët revolucionarë si ushqim për rrjetin përplot me profile të hapura rishtazi dhe shumëfishuar nga zyra gjetkë, ndihmuar nga algoritmi dhe shoqëruar në fund me një pjatë të helmatisur simbolikash ataviste të një kulture që nuk ka vend në Shqipërinë evropiane.

Jemi më pranë se kurrë përmbushjes së aspiratës kombëtare #Shqipëria2030 dhe asgjë nuk na ndal!

Kjo nuk është hera e parë që Lamallari reagon për protestat. Më 25 qershor, ministri i Brendshëm nxorri urdhrin për shpalljen si “person të padëshiruar’ në Shqipëri për Igballe Haduti (Berishën) për 15 vite.

Motivi i këtij vendimi bazohej në informacionet e grumbulluara, sipas së cilave, veprimtaria e kësaj shtetaseje vlerësohej si kërcënim për vendin, sigurinë kombëtare, si dhe rendin e sigurinë publike.

Lamallari shkoi edhe më tej, duke thënë se Shqipëria do të shpallë persona ‘non grata’, të gjithë ata persona që nuk janë shtetas shqiptarë dhe që kanë agjenda të padëshirueshme për vendin tonë dhe që janë kundër frymës evropiane.

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button