Aktualitet

Tërmeti me magnitudë 6.1 në Turqi, një i vdekur dhe 29 të plagosur

Një tërmet me magnitudë 6.1 të shkallës Rihter goditi të dielën provincën perëndimore të Balıkesir, duke shkaktuar një viktimë dhe 29 të plagosur, njoftuan autoritetet turke.

Sipas raportimeve nga mediat vendase, viktima është Nihat Onbaş, 81 vjeç, i cili humbi jetën në spital pasi u nxor nga rrënojat e një ndërtese trekatëshe të shembur në qytetin Sındırgı. Bashkëshortja e tij, Hamide Onbaş, është jashtë rrezikut për jetën, por ka pësuar frakturë në krah.

Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya, konfirmoi se të plagosurit nuk janë në rrezik për jetën. Nga 29 personat e lënduar, 18 janë tashmë të liruar nga spitali, ndërsa 11 të tjerë vazhdojnë trajtimin, kryesisht për dëmtime të pësuara gjatë përpjekjes për të dalë nga ndërtesat.

Në fshatrat përreth zonës së Zenterit, 16 ndërtesa janë shembur, përfshirë 4 banesa dhe 12 objekte të braktisura, fatmirësisht pa shkaktuar viktima të tjera.

Lëkundje deri në Stamboll dhe brigjet e Egjeut

Tërmeti u regjistrua në orën 19:53 (sipas orës lokale), me një thellësi fokale prej 10 km. Lëkundjet u ndjenë gjerësisht në rajonin e Marmarasë, përfshirë edhe Stambollin dhe brigjet veriore e lindore të Egjeut, pa shkaktuar dëme në ishujt grekë.

Sipas autoriteteve turke dhe AFAD, janë regjistruar të paktën 20 pasgoditje, ku më e forta ka arritur magnitudën 5.0.

Rreth 319 ekipe shpëtimi janë angazhuar në zonën e goditur, ndërsa janë marrë 24 raportime emergjente për dëme në banesa dhe struktura të tjera. Organizata si AFAD, Jandarma, Emniyet dhe UMKE janë vënë menjëherë në veprim për të ndihmuar banorët dhe për të kontrolluar dëmet.

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button