Tiranë, 71 gjoba drejtuesve të monopatinave për shkelje të rregullave të qarkullimit

Policia Rrugore e Tiranës ka vendosur 169 gjoba për shkelje të rregullave të qarkullimit gjatë 48 orëve të fundit duke vendosur monitorim të shtuar tek perdorimi i monopatinave.
Sipas policisë, fokusi gjatë 48 orëve të fundit ka qenë monitorimi i drejtuesve të monopatinave, i hyrjes pa radhë në rrugë dhe i përdorimit të xhamave të zinj, pa autorizim.
Si rezultat i kontrolleve të ushtruara janë vënë 41 masa administrative ndaj drejtuesve të automjeteve që tentuan të futeshin në autostradë, pa respektuar radhën, duke penguar kështu qarkullimin normal.
Gjithashtu, janë vendosur 71 masa administrative ndaj drejtuesve të monopatinave që qarkullonin në kundërshtim me rregullat e qarkullimit rrugor, duke rrezikuar veten dhe të tjerët, si edhe 57 masa administrative ndaj drejtuesve të automjeteve me xhama të zinj, të vënë pa autorizimin përkatës.
Policia Rrugore iu bën thirrje drejtuesve të automjeteve dhe monopatinave që të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi në lëvizje. Respektimi i radhës në trafik, shmangia e manovrave të rrezikshme dhe respektimi i kushteve ligjore për qarkullimin në rrugë, janë detyrim për secilin.




