Aktualitet
Polici në Kamëz nën hetim për kanosje me armë në lokal

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur hetimet ndaj një punonjësi policie me inicialet E.H., me detyrë në Patrullën e Përgjithshme pranë Komisariatit Nr. 5 në Kamëz, pas një incidenti të ndodhur mbrëmjen e kaluar.
Sipas njoftimit zyrtar, E.H. është konfliktuar fizikisht me disa persona në ambientet e një lokali, ku më pas dyshohet se ka përdorur armën e shërbimit për t’i kanosur.
Pas veprimeve të para hetimore, materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Tiranës për dy vepra penale: “Kanosja” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Në paralel, AMP ka nisur edhe hetimin disiplinor administrativ ndaj punonjësit të policisë, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.




