Fatkeqësitë natyrore, Nufi: Miratohen 44 projekte për mbrojtjen civile, financimi 650 milionë lekë

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bëri të ditur se janë miratuar një sërë vendimesh që lidhen me forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes civile, angazhimet ndërkombëtare të Forcave të Armatosura dhe unifikimin e strukturave ushtarake.
Ministri Nufi tha se janë miratuar 44 projekte që lidhen me forcimin e mbrojtjes civile dhe kapaciteteve të bashkive ne vend për përballimin e fatkeqësive natyrore. Nga 44 projekte, 26 janë infrastrukturore dhe 18 kanë të bëjnë me blerjen e pajisjeve dhe mjeteve të nevojshme për bashkitë në raste emergjencash. Vlera totale e financimit arrin në 650 milionë lekë.
“Miratimi i VKM-së për projektet fituese të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, që lidhen me përballimin e fatkeqësive natyrore. Lista e projekteve fituese është konsoliduar në shkurt të vitit 2026 dhe përfshin 44 projekte: 26 infrastrukturore dhe 18 projekte për blerje pajisjesh dhe mjetesh që bashkive u duhen për përballimin e fatkeqësive natyrore.
Vlera totale e financimit për projektet arrin në 650 milionë lekë, ndërsa pjesa tjetër do të financohet gjatë vitit 2027. Me këtë vendim ulim rrezikun ndaj fatkeqësive dhe garantojmë mbrojtje për të gjithë qytetarët”, tha Nufi.
Gjatë mbledhjes së qeverisë, Nufi tha se u miratua edhe zgjatja e misionit shqiptar në Letoni deri më 31 dhjetor 2029 si dhe njësimit i gradave ushtarake, pas evidentimit të disa mospërputhjeve në sistemin ekzistues.
“Miratuam gjithashtu zgjatjen e misionit shqiptar në Letoni deri më 31 dhjetor 2029. Ky vendim shërben në konsolidimin e Forcave të Armatosura dhe misionin e tyre në NATO, si dhe lidhet me misionin për çmontimin e zonave të minuara. Miratuam edhe njësimin e gradave ushtarake, pasi kishte pasur mospërputhje që janë adresuar”, tha ai.




