Aktualitet

Nesër heshtje zgjedhore, Policia merr në ruajtje 473 QV, mbi 334 mijë qytetarë shkojnë në kutitë e votimit

Procesi i përgatitjes për zgjedhjet e pjesshme lokale të së Dielës, 9 Nëntor, ka hyrë në fazën finale. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur shpërndarjen e materialeve zgjedhore në pesë bashkitë ku do të votohet: Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë.

Nesër (e shtunë) shënohet dita e heshtjes zgjedhore, ndërsa Policia e Shtetit ka finalizuar planin e masave për garantimin e sigurisë.

Masat e sigurisë dhe angazhimi i policisë

Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike gjatë gjithë procesit:

  • Janë angazhuar gjithsej 612 punonjës policie dhe automjete, listë e cila është miratuar edhe nga KQZ.
  • Policia ka marrë në ruajtje 9 objekte zgjedhore ku janë vendosur KZAZ-të dhe ditën e shtunë do të marrë në ruajtje 473 objekte që do të shërbejnë si qendra votimi (QV).
  • Shërbimet e Policisë do të veprojnë në bashkëpunim të ngushtë me komisionet e QV-ve, koordinatorët, KZAZ-të dhe KQZ-në, konform Kodit Zgjedhor.

Policia, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, u bëri thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo rast që cenon të drejtën e tyre për të votuar ose që synon të tjetërsojë votën, si dhe subjekteve politike që të zbatojnë detyrimet ligjore.

Në total, 334.539 mijë votues kanë të drejtën e votës në këto pesë bashki:

  • Vlorë 171.895 votues
  • Berat 82.161 votues
  • Cërrik 38.724 votues
  • Mat 29.092 votues
  • Tepelenë 12.667 votues

Kjo fushatë u cilësua si ‘jo si zakonisht’, pasi liderët e partive të mëdha shmangën mitingjet.

Kryeministri Edi Rama u shfaq me kandidatët vetëm në një podcast.

Partia Demokratike zyrtarisht nuk ka kandidatë në siglën e saj, por ka mbështetur kandidatë të pavarur në disa bashki.

Mandati i kryebashkiakëve të rinj do të jetë i shkurtër, duke zgjatur deri në zgjedhjet e pranverës 2027.

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button