Brukseli e konfirmon për mediat: Shqipëria merr dritën jeshile nga Bashkimi Evropian
Pas lajmit se Shqipëria ka marrë sinjal pozitiv në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, burime nga Brukseli konfirmuan për A2 CNN, se drafti i qëndrimit të përbashkët të BE-së (EUCP), bazuar në raportin IBAR, është miratuar në COELA pa asnjë kundërshtim nga shtetet anëtare.
“Drafti i qëndrimit të përbashkët të përkohshëm të BE-së (EUCP, bazuar në IBAR) sapo është miratuar në COELA pa asnjë kundërshtim të mëtejshëm nga shtetet anëtare.
Hapi i radhës është kalimi i tij nesër pasdite për miratim tek ambasadorët e BE-së në COREPER, përpara se Konferenca Ndërqeveritare (IGC) të konfirmohet zyrtarisht”, thuhet në përgjigjen e Këshillit të Bashkimit Europian.
Pas këtij miratimi, do të konfirmohet zyrtarisht mbajtja e Konferencës Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian më 26 maj.




