“Ti mbete vetëm”, Rama i drejtohet protestuesit të ulur në shkallët e Kryeministrisë: Eja tek unë…

Ndryshe nga herët e tjera, kryeministri Edi Rama ka ndarë mëngjesin e kësaj të marte foton e një protestuesi të ulur në shkallët e Kryeministrisë, të shoqëruar me një mesazh të gjatë.
Në postimin e tij në Facebook, ai shkruan se nuk e sheh protestuesin si humbës të protestës, por si një qytetar që ka mbetur vetëm me bindjet dhe shqetësimet e tij. Ai shprehet se e kupton zemërimin dhe pakënaqësitë e njerëzve që protestojnë, qoftë për problemet ekonomike, shëndetësore apo padrejtësitë që hasin në jetën e përditshme.
Sipas Ramës, shumë prej atyre që nxisin protestat apo komentojnë nga studiot televizive nuk janë pranë protestuesve pasi protesta mbaron. Ai i akuzon se përdorin zemërimin e qytetarëve për interesat e tyre politike dhe personale.
Kryeministri shkruan se protestuesi mbetet i vetëm me hallet e tij, ndërsa ata që e nxitën largohen. Ai e cilëson këtë si një formë tradhtie ndaj qytetarëve që besojnë dhe angazhohen në protesta.
“Nuk e di çfarë halli ke tamam. Po di që ke një hall që jo vetëm nuk ta zgjidh askush, po as nuk ta qan kush. Besoje ose jo, po unë e ndjej brengën tënde“, i thotë kreu i qeverisë protestuesit.




