Trau në Rrugën e Kombit, Berisha akuzon Ramën si anti-shqiptar

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka akuzuar pasardhësin e tij në qeveri, Edi Rama, se është një anti-shqiptar që punon për interesat e Serbisë.
Në një prononcim për mediat pas takimit me kryetaren e Parlamentit të Kosovës dhe presidenten në detyrë, Vjosa Osmani, Berisha tha se vendosja e taksës nga Rama, në Rrugën e Kombit është një akt armiqësor ndaj veriut dhe Kosovës.
“Trau në Rrugën e Kombit është një akt armiqësor ndaj veriut dhe Kosovës. Shqiptarët duhet ta dinë, se jo tani, por që në vitin 2013, falë asaj rruge, qytetarët e Kosovës kontribuonin në 320 mln euro në prodhimin e brendshëm të Shqipërisë. Ky njeri që nuk ka investuar një qindarkë të vetme për marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, vuri taksën për qytetarët e Kosovës për të ardhur në Shqipëri, në një akt prej faqeziu të vërtetë”, u shpreh Berisha.
Berisha theksoi se mohimi nga Rama i gjenocidit serb, ishte akt flagrant armiqësor ndaj kombit shqiptar.
“Akti i mohimit me urdhër të Edi Ramës në dokumentin e Parlamentit shqiptar të gjenocidit serb, është akt armiqësor ndaj çdo shqiptari. Është një akt armiqësor ndaj njerëzimit, i cili nuk njeh falje në dënimin e krimeve kundër tij dhe gjenocidin e një populli mbi bazat raciste”, – shtoi kryeministri.




