Vaksina anti-Covid, alarmi i mjekut: Nuk kemi kapacitete, do na skadojnë të gjitha

Vaksinat anti-Covid kanë nisur shpërndarjen dhe administrimin në disa shtete të botës, kryesisht me kategori të ndjeshme dhe në institucionet e kujdesit shëndetësor.
Por duke qenë se kërkohen mekanizma të fortë sigurie që të jenë efikase apo atë që në gjuhën mjekësore quhet zinxhir ftohës, lind pyetja: A ka Shqipëria kapacitete për t’i ruajtur sipas parametrave?
Mjeku urolog, Artan Koni, ngre alarmin se edhe në rast se vaksinat e para do të mbërrijnë në spitalet tona, ato do të skadojnë të gjitha.
Sipas tij, një firo të konsiderueshme pësojnë vaksinat e gripit që kërkojnë temperaturë më të lartë. Për atë anti-COVID, duhet marrë masa.
“Vaksina e gripit ruhet në temperatura 2-8 gradë… E megjithatë, çdo vit, firon rreth 25 për qind e këtyre vaksinave ne rang botëror, si pasojë e problemeve të magazinimit apo transportimit nëpër pikat e vaksinimit. Vaksina anti-COVID ruhet në temperatura -70 gradë. Nëse supozojmë se nesër vijnë këto vaksina në Shqipëri, ato do të skadojnë të gjitha, – shpjegon Koni. – Sepse për të ruajtur këtë vaksinë, na duhet zinxhiri i ftohjes…zinxhir, të cilin nuk e kemi”.
Koni bën apel që autoritetet shëndtsore duhet të ngrenë mekanizmat e duhura për të parandaluar çdo gabim gjatë kësaj situate të vështirë.
“Përpara se të zëvendësojmë pemën e Vitit të Ri që u dogj gjatë protestave, na duhet të ngremë një zinxhir ftohës për temperatura shumë të ulëta, – shkruan ai. – Ministria e Shëndetësisë duhet të na tregojë cilët janë hapat konkretë që po merren në këtë drejtim. Nese vaksina e gripit ka 25% firo, sa firo do ketë vaksina e COVID?!!




