GËZUAR DITËN E VERËS

GËZUAR DITËN E VERËS
Dita e Verës është shumë e herëshme.
Ajo është festë pagane dhe jo fetare.
Është festë që vjen nga lashtësia.
Dita e Verës, e njohur si festa e ripërtëritjes së natyrës dhe e vazhdimësisë së jetës, është festë kombëtare, ndaj kjo festë është edhe zyrtare.
Ajo kremtohej me 1 Mars sipas kalendarit Julian, ditën e parë të Vitit të Ri (sipas kalendarit Gregorian, 14 Mars).
Sot, ky kalendar quhet Kalendari Gregorian, sipas Papës Gregori i XIII-të, i cili me urdhëresën, vendimin e tij: ”Inter gravissimas” me 24 shkurt 1582, e reformojë Kalendarin Julian.
Me gjithë reformat , ndryshimi prej 10-të ditësh ndërmjet Kalendarit Gregorian dhe Julian sot është rritur në 13-të ditë.
Dita e Verës ishte dhe mbeti një festë mbarëshqiptare që festohet si në Jug edhe në Veri.
- Ja si e shpjegonte Faik KONICA “Ditën e Verës”:
“Është dita në të cilën shtërgjyshërit tanë, kur s’kish lindur ende krishtërimi, kremtojin bashkë me Romanët dhe me Grekët e Vjetër, perëndit’ e luleve, të shelgjeve, të krojeve.
Kur çkrin dimëri, kur qaset Vera buzëqeshur e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Botiçelit, zemra e njeriut çgarkohet nga një barë, shijon një qetësi, një lumtësi t’ëmblë. Në këtë gëzim, stërgjyshërit t’anë ndiejin një detyrë t’u falen perëndive që sillnin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që quajmë Dit’ e Verës.
Në pak ditë në Shqipëri, besnikët e fundmë të paganizmit, besnikë padashur dhe pa dijtur, do të rrethojnë me verore degët e thanavet, të dëllinjavet, të dafinavet të gjithë shelgjeve të nderuara. Do të këputin degë të gjelbra dhe do ti venë mbi kryet e shtëpivet.
Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të rracës sonë. Nuk i bëjnë dëm njeriut. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpi. Në një vend ku jeta e të vegjëlvet është aq e trishtuar, djelmuria dhe vajzat kanë një rasë të rrallë për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shije poetike të hollë e të rrallë”!




