Ora 05:00, 590 kuti të numëruara! Ja rezultati në rang kombëtar

Procesi i numërimit, ashtu si ka ndodhur rëndom në ciklet e kaluara zgjedhore, ka filluar në pjesën më të madhe të qarqeve me vonesa të mëdha, ku bie në sy qarku i Durrësit ku numërimi ka filluar vetëm në orën 04:00, pasi numëruesit e PD braktisën postet pa dhënë asnjë shpjegim.
Për pasojë, në orën 05:00 janë numëruar vetëm 590 kuti nga 5199 që ka vendi në total, çka e bën objektivin e KQZ për të nxjerrë rezultatin e partive politike dhe të koalicioneve brenda 48 orëve një sipërmarrje tejet të vështirë.
Me votat e numëruara deri tani projektohet se Partia Socialiste do të mund të qeverisë e vetme teksa kalon kuotën e 71 mandateve. Aktualisht, PS ka 79 mijë e 212 vota ose 50.60%, ndërkohë që PD ka 59 mijë e 525 që përkthehet në 38.02% të elektoratit. LSI ka përjetuar rënie në krahasim me rezultatin e saj të vitit 2017 në të gjitha qarqet e vendit dhe deri tani ka akumuluar 10 mijë e 589 vota, ose 6.76% të totalit.
Surpriza e mbrëmjes ka qenë PSD e cila po synon tre mandate në rang kombëtar, por edhe fakti i dorëheqjes së Tom Doshit nga mandati ende pa e marrë, ka qenë lajmi më befasues i kësaj nate numërimi me ritme të ngadalta.




