Kongresi i PS-së, në “filtër” drejtuesit e qarqeve për zgjedhjet e 25 prillit

Zhvillimi i Kongresit të PS në 12 Qershor, nuk do të shënojë vetëm 30-vjetorin e krijimit të partisë, por dhe fatin e drejtuesve të qarqeve në vend. Sekretari Organizativ Arben Pëllumbi, në një intervistë për Klan News sqaron se në filtër do përfshihen dhe struktura të tjera të PS, kjo në bazë të performancës në zgjedhje të 25 Prillit.
“Do bëhet një analizë e këshillave socialistë, bashkive dhe qarkut në përgjithësi. Do të ndalojmë edhe si normë statutore, sepse e kemi dhe në statut që pas çdo palë zgjedhje të bëjmë një analizë të punës dhe atje ku nuk kemi dalë mirë kalojmë dhe në procese ndryshimi”, është shprehur Arben Pëllumbi.
Pritshmëritë për këtë Kongres nuk janë për një Asamble të re të PS, por për një fushatë që pritet t’i sjellë risi selisë rozë.
“Ky Kongres nuk ka qëllim të zgjedhë Asamblenë. Ky Kongres do përcaktojë disa objektiva, detyra dhe nga ana tjetër po mendojmë të çelim një fushatë anëtarësimesh të reja të PS”.
Për shkak të numrit të lartë të pjesëmarrësve në Kongres, PS po mendon zhvillimin e saj në dy ditë të ndryshme.




