Pandemia lë shqiptarët pa shkuar në bare e restorante, konsumi 10% më pak se para krizës
Pandemia ka ndryshuar dukshëm sjelljen e konsumatorëve dhe efektet e saj vijojnë të ndihen edhe pse ajo është lehtësuar.
Një prej zakoneve që po i rikthehet më ngadalë normalitetit është ai i shpenzimit të kohës në bare e restorante.
Të dhënat e INSTAT për indeksin e vlerës së bareve e restoranteve tregojnë se në tremujorin e parë 2021, konsumi në bare e restorante ishte rreth 6% më i ulët se në të njëjtën periudhë të një viti më parë (kur sapo kishte filluar pandemia e Covid-19) dhe 10% më pak se në janar-mars 2019, kur gjithçka ishte në normalitet dhe biznesi i bareve e restoranteve shënoi vitin më të mirë historik.
Përfaqësuesi i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Henri Jahaj, thotë se rënia e xhiros është ndikuar nga disa arsye.
“Faktorët kryesorë ishin rënia e konsiderueshme e konsumit, që do të thotë se të ardhurat e individëve u reduktuan. Arsye tjetër është pasiguria e shkaktuar nga kriza e Covid-19, ku shumë njerëz ulën shpenzimet, duke u përqendruar më shumë te produktet e shportës dhe shëndetit. Një tjetër arsye e rënies së xhiros është edhe orari i kufizimit të lëvizjeve. Kjo solli që pasditja të mos funksionojë me tepër për restorantet dhe baret.”
Të dhënat e tjera për indekset e punësimit dhe pagës tregojnë se sektori mbetet larg niveleve të para krizës edhe sa i përket punësimit dhe pagave.
Ekonomia shqiptare ka një varësi të lartë nga biznesi i bareve e restoranteve. Sipas të dhënave të INSTAT, në fund të vitit 2019, në Shqipëri kishte rreth 16 mijë barë e restoranteve (4 mijë restorante dhe 12 mijë bare), të cilat përbëjnë rreth 15.4% të subjekteve private në Shqipëri.
Në total, në bare dhe restorante janë të punësuar rreth 45 mijë persona në 2019-n, sipas INSTAT, gati 10% e totalit të të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor.
Të ardhurat e bareve e restoranteve, apo shpenzimet e shqiptarëve, arritën një nivel rekord në 2019-n prej 51.8 miliardë lekësh, ose rreth 420 milionë euro, ose 150 euro/frymë. Sipas INSTAT, në krahasim me 5 apo 6 vjet më parë, shpenzimet për kafene e restorante janë dyfishuar.
Në vendet e tjera të Europës biznesi i bareve e restoranteve ka një peshë më të ulët në ekonomi.
Në Bashkimin Europian (me 27 shtete), vetëm 7% e bizneseve janë në sektorin e shërbimit ushqimor dhe të pijeve (bare e restorante). Rekordin në BE e mban Kroacia, me 11.7%, sipas Eurostat.
Në rajon, më pak të dhënë pas kafeve janë serbët, ku vetëm 4% e subjekteve i përkasin aktivitetit të shërbimit ushqimor dhe pije. Të dhënat e Institutit statistikor të Serbisë bëjnë të ditur se në Serbi ka më pak se 4 mijë bare e restorante, ose 4 herë më pak se në Shqipëri, ndonëse popullsia e saj është 2.5 herë më e lartë se e Shqipërisë.
Në fund të listës renditen shtete si Polonia, Norvegjia, Letonia, Lituania, me më pak se 3% të bizneseve të tyre që e ushtrojnë aktivitetin në bare e restorante./Monitor/