Aktualitet

Shkelmuan derën dhe hynë në selinë e PD, Berisha: Bashës do i dërgojmë me shkrim shkarkimin, as mos e imagjinojë të na kundërshtojë

Sali Berisha dhe anëtarët e Komisionit të Rithemelimit në Partinë Demokratike hynë me dhunë sot në PD.

Ata shkelmuan derën e mbyllur të sallës ku mbahen konferencat për mediat në PD, e më pas të gjithë anëtarët u futën brenda.

Pavarësisht këtij gjesti, ai tha se dënon dhunën e djeshme të policisë.

“Dënojmë disa akte brutale të policisë të narkopolicisë, e cila ka arrestuar mbrëmë njerëz të pafajshëm, i ka keqtrajtuar adoleshentët, në furgonat e makinë. Unë jam sot këtu për të paralajmëruar narkopolicinë, se revolucioni ynë paqësor nuk do të tolerojë dhunimin e të drejtave të njeriut dhe keqtrajtimin çnjerëzor të pjesëmarrësve në protesta, apo në lëvizjet revolucionare.

Mbrëmë deri në një të natës, në qeli të komisariateve me urdhër të Ramës janë mbajtur adoleshentë 15 vjeçar, por edhe burra të moshuar 84 vjeçar… Paralajmërimi përfundimtar është mos dhunohet asnjë e drejtë njerëzore”, tha Berisha mes të tjerash.

Berisha ka njoftuar mbi vendimet e Komisionit për rithemelimin e PD, ku tha se një prej tyre është edhe njoftimi me shkrim i Bashës për shkarkimin.

Ai paralajmëroi kryedemokratin që të mos ‘imagjinojë’ t’i kundërvihet këtij vendimi.

“Sot Komisioni i Përkohshëm i PD, pas diskutimeve ka vendosur të fillojë menjëherë nga puna për zbatimin e vendimeve të Kuvendit të 11 Dhjetorit të rithemelimit të PD. Deri më 22 mars, të gjitha strukturat e kësaj partie duhet të shndërrohen në struktura të anëtarëve të PD në të cilat ata do të vendosin me votën e lirë për drejtuesit e tyre. Duke vazhduar me këtë proces, demokratët janë të vetëdijshëm se janë në një revolucion të pandalshëm, të një rëndësie jetike dhe ata mbeten të gatshëm për të përmbushur çdo mision që do kërkohet në avancimin e kauzës sonë. Komisioni vendosi t’i komunikojë deputetit Lulzim Basha vendimet supreme të anëtarësisë së PD në aktin më historik të lirisë gjatë pluralizmit, siç ishte referendumi i datës 18 dhe ky akt siç e dini ishte shkarkimi, ratifikimi i shkarkimit. Si një akt protokollar dhe jo detyrim sepse detyrimi është shpallur para të gjithë shqiptarëve, deputetit Basha do i dërgohet një shkresë ku do njoftohet për këtë vendim. Për të gjithë anëtarët e PD që votuan më 18 dhjetor, Komisioni vendosi të njoftojë se anëtarësi e PD është më këmbë dhe e vendosur të zbatojë vendimin e saj, vendimi i marrë do zbatohet pa asnjë lloj hezitimi. Paralajmëroj deputetin Basha të mos imagjinojë e mendojë për një çast t’i kundërvihet vendimit të referendumit më të gjerë që është mbajtur ndonjëherë në historinë e vendit. Anëtarët kanë vendosmëri absolute për të zbatuar këtë vendim”, tha Berisha.

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button