Aktualitet

Seanca në GJK, përfaqësuesi i Metës: Komisionet hetimore nuk ngrihen në periudhë zgjedhjesh, procesi i sharkimit për hakmarrje

Ka nisur seanca maratonë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e kërkesës së mazhorancës për shkarkimin ose jo të Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Përfaqësuesit e Presidentit Meta kanë mbërritur në seancë me një dosje voluminoze dhe pritet të japin argumentet e tyre mbi çështjen.

Kjo është seanca e dytë, pas asaj të zhvilluar dy ditë më parë, e cila përfundoi pas shumë orësh pa një vendim.

Edhe kjo seancë pritet të jetë e gjatë dhe me shumë debate, ku tashmë ka nisur me avokatët dhe ekipin mbrojtës të Presidentit, të cilët pritet të japin të gjitha argumentet e tyre mbi çështjen.

Më tej, ata do të njihen me pyetjet e relatorëve dhe gjyqtarëve dhe do të kërkojnë kohë për t’u përgjigjur.

Përfaqësuesi i Presidentit Meta deklaroi në seancë se Komisionet hetimore nuk mund të ngrihen në periudhë zgjedhjesh, duke iu referuar komisionit hetimor për shkarkimin e Kreut të Shtetit.

“Edhe nëse një veprimtari hetimore ka nisur, në zbatim të ligjit për komisionet hetimore ka për detyrë ta ndërpresë atë sepse komisionet hetimore nuk mund të ngrihen dhe të funksionojnë në periudhë zgjedhjesh.

Përveç kësaj, Kuvendi përmes këtij procesi hetimor ka tentuar të ndërhyjë në mënyrën sesi presidenti kërkon të ushtrojë kompetencat e tij. Gjë që tregon se Kuvendi ka shkelur parimin e ndarjes së pushteteve edhe pse në mungesë të lëndës për të shkarkuar presidentin, përsëri janë shkelur të gjitha parimet e shtetit të së drejtës, si ai i paanësisë.

Që me zhvillimin e zgjedhjeve të 2017, OSBE vuri re blerje votash, vjedhje etj. Në seancën e kaluar u morën shembuj të doktrinave kushtetuese të shteteve të ndryshme, por nuk i ngjajnë aspak asaj të shtetit shqiptar. Pas shkurtit të vitit 2019 kur u tërhoq opozita, dhe kur nisi punë shkarkimi i presidentit, grupet parlamentare nuk përfaqësonin opozitën.

Këto dhe disa të tjera tregojnë që ky proces shkarkimi është bërë me qëllim hakmarrjeje. Gjithashtu Kuvendi ka përccuar në publik mesazhin se sikur kuvendi qëndron mbi palët dhe duke marrë kompetencat e institucionit të Presidentit.

Kriza tjetër politike ishte zgjedhja e prokurorit të përgjithshëm të përkohshëm, i cili u zgjodh me 69 vota, në kundërshti të kushtetutës. Ky ishte shkaku i parë i thellimit të krizës politike. Pra, me këto grupe parlamentare, nuk u përfaqësuan partitë opozitare legjitime dhe si pasojë edhe vendimi për shkarkimin e presidentit nuk ka vlerë”, deklaroi Dervishaj.

Teksa Kuvendi ka deklaruar se arsyeja e shkarkimit të Presidentit është për shkelje të rënda të Kushtetutës, Dervishaj tha se mbrojtja e Presidentit është një dosje me 140 faqe dhe se Kuvendi nuk ka zbuluar asnjë akt të Presidentit ku të kishte shkelur Kushtetutën.

Ai deklaroi se Presidenti i qëndron plotësisht kërkesave të 1 korrikut.

“Presidenti i Republikës pas marrjes së njoftimit të nisjes së procesit të shkarkimit të tij, ka mbajtur komunikim shkresor me kuvendin, duke i nisur ankesat apo këshillat që të mos binte ndesh me parimet kushtetuese.

Neni 90 i Kushtetutës përcakton se nuk ka përgjegjësi në aktet e ushtruara gjatë detyrës se tij… duke e vlerësuar gjithë procesin e iniciuar për shkarkimin e kreut të shtetit, rezultoi se në asnjë paragraf të kërkesës së deputetëve apo të raportit të komisionit të ligjeve, nuk është arritur të zbulohet asnjë akt i vetëm i presidentit që mund të kishte shkelur në mënyrë të rreptë kushtetutën.

Edhe pse në mungesë të lëndës për të shkarkuar presidentin, përsëri janë shkelur të gjitha parimet e shtetit të së drejtës, si ai i paanësisë, parimi për një proces të rregullt ligjor”, tha Dervishaj.

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button