Taksia përplasi 3 të mitur, detaje nga aksidenti në Tiranë

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur paraditen e së mërkurës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë ish-Hotel Dajtit, ku një automjet tip taksi ka përplasur tre fëmijë të mitur që po lëviznin me monopatina.
Ngjarja ndodhi rreth orës 10:30. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, automjeti drejtohej nga shtetasi E.K., rreth 41 vjeç, i cili është shoqëruar në Komisariat për veprimet e mëtejshme procedurale.
Të miturit e përfshirë në aksident janë transportuar menjëherë drejt spitalit të Traumës, ku po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.Dy prej fëmijëve ndodhen në gjendje shëndetësore të stabilizuar, ndërsa njëri është në gjendje të rëndë dhe është intubuar.
Sipas të dhënave jozyrtare, fëmijët janë:
- O.A., 11 vjeç – gjendje shëndetësore e stabilizuar
- E.S., 9 vjeç – gjendje shëndetësore e stabilizuar
- J.N., mosha e pacaktuar – ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe nën kujdes intensiv
Mjekët po vlerësojnë dëmtimet e marra dhe të tre fëmijët janë nën monitorim të vazhdueshëm.
Në vendngjarje ka mbërritur një grup i posaçëm hetimor që po punon për të sqaruar rrethanat e aksidentit. Paraprakisht nuk raportohet për konsum alkooli nga ana e drejtuesit të mjetit, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore dhe shkeljet e mundshme të rregullave të qarkullimit rrugor.




