“Kodi i ri etik”/ Kufizime për ministrat, Rama iu ndalon takimet me biznesmenë, bixhozin, shkeljen e rregullave të qarkullimit…!

Ministrave do t’u ndalohet me ligj takimi me biznesmenë. Ata s’mund të pranojnë bileta të paguara nga persona dhe kompani private apo të frekuentojnë bare e restorante gjatë ditëve të punës.
Në mënyrë specifike ministrave iu ndalohet bixhozi: Ata nuk duhet të hyjnë në asnjë ambient lojërash fati.Po ashtu ata duhet të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.
Nëse anëtari i kabinetit do të bëjë një nga këto shkelje, ose duhet të kërkojë ndjesë publike, ose do shkarkohet menjëherë nga detyra.
Rregullat e paralajmëruara nga Kryeministri Edi Rama në nisje të mandatit të tretë të qeverisjes, dhe të miratuara në shtator të vitit të shkuar nga Këshilli i Ministrave kanë hyrë në fuqi të premten e 29 prillit.
“Kodi i Ri Etik” lejon takimin me grupe biznesi vetëm në prani të 2 nëpunësve publikë të cilët mbajë minutat e takimeve, identitetin e personave dhe shënojnë në një regjistër të posaçëm çështjet e diskutuara.
Ministrat do të ndalohen tashmë ligjërisht të udhëtojnë me “Bussines Class” brenda Europës, të përdorin sallën VIP të aeroportit apo makinën e punës për familjarët në momentin që nuk janë vetë të pranishëm.