Veliaj: I dhamë fund tymit kanceroz që vinte nga mbetjet e Sharrës, shërbimi kryhet më lirë nga projekti i Sali Berishës dhe Ilir Metës
Në videomesazhin e kësaj jave, ku ai foli për pastërtinë e Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se Bashkia e Tiranës ka shpëtuar nga tymi kancerogjen i djegies së plehrave, që vinte nga Sharra.
Ai shtoi se Bashkia e Tiranës bën mbledhjen e mbetjeve, pastrimin e qytetit, dhe transportimin e mbetjeve në impiantin e trajtimit të tyre në Sharrë.
“Aty ato peshohen dhe ne paguajmë shërbimin për çdo ton të plehrave që ka prodhuar qyteti, sipas kontratës. Ky shërbim, pra jo investimi, ne paguajmë shërbimin, paguhet me çmimin më të ulët në Europë sot dhe me një çmim më të ulët se propozimi i një projekti që e kishim në këtë zyrë vetëm për depozitim mbetjesh. Ishte projekti i administratës së vjetër, i asaj që quhet koalicioni i PD-së dhe LSI-në deri në 2015-ën. Ata kishin lënë një propozim që, për të njëjtin trajtim, bashkia faturohej 37 Euro/ton mbetje. Sot, të njëjtën gjë, Bashkia e Tiranës e bën me 2/3 e asaj vlere. Duhet ta theksoj se për qytetin ky është një projekt jetik dhe i domosdoshëm, që i dha fund tymit të djegies së plehrave dhe kancerit që vinte nga Sharra, një imazh i shëmtuar si ato vendet e botës së tretë, ku hynte e dilte kushdo për të rrëmuar plehra pa kontroll, duke rrezikuar shëndetin dhe jetën. Ai realitet i zymtë, që i ngjante një zone lufte, me atë renë e zezë veshtullore të kancerit në Tiranë, sot nuk ekziston më, i takon të kaluarës”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku nënvizoi se qytetarëve të Tiranës u intereson vetëm nëse Tirana është më e pastër seç ishte. “Sot qytetarëve të Tiranës u intereson vetëm një gjë, a është Tirana më e pastër seç ishte dhe a paguajnë më pak se sa me planin e Ilir Metës dhe Sali Berishës? Përgjigjja për të dy këto pyetje, edhe nga kritikët më të mëdhenj, është PO, sepse provohet që qyteti është më i pastër dhe provohet që paguajmë më pak sesa ai propozimi i mëparshëm, për të cilin sot vajtojnë ata që e menaxhonin Tiranën dhe e lanë zhul. Por, si në çdo çështje tjetër nuk duhet të përziejmë problematikat e procesit me qëllimin e procesit. Kur ka një aksident në rrugë, ne nuk ndalojmë së bëri autostrada, kur një edukatore problematike, nuk i mbyllim kopshtet, kur një mjek abuzon, nuk e mbyllim spitalin. Ne adresojmë njeriun që është problem apo procedurën problem, por nuk mbyllim të gjithë procesin vetëm sepse kemi një anomaly”, tha Veliaj.
Mandej, ai u shpreh se pastrimi i qytetit është një mision i përditshëm, që kërkon vazhdimisht përmirësime, risi dhe inovacion. “Ambicia jonë është të zëvendësojmë të gjithë kazanët aktualë me kazanët modernë, që kemi filluar të vendosim në zonën e Eco-Tiranës, në formë kambane, një model që ka rezultuar më higjenik dhe më efektiv për mbledhjen dhe transportin e mbeturinave dhe qartazi me shumë kapacitet. Jemi duke realizuar po ashtu grumbullimin derë më derë të mbetjeve tek biznesi, pa pasur nevojë që ato të shkojnë te kazanët e familjarëve. Këtë model të pastërtisë duam të vazhdojmë ta përmirësojmë, duke e shtrirë në të gjithë zonat e Tiranës, me po të njëjtin standard, duke filluar nga qendra deri tek cepi më i lartë në kufijtë e territorit të Tiranës metropolitane”, e mbylli Veliaj fjalën e tij.