Alibeaj: PD, në sulm nga “trinia e shenjtë” Rama-Berisha-Meta

Në këto zgjedhje, Enkelejd Alibeaj thotë se Partia Demokratike është vënë në agresion të trefishtë nga trinomi Rama-Berisha-Meta.
“Bashkë, në marrëveshje me njëri-tjetrin. Kjo trini e pashenjtë, Rama-Berisha-Meta, po e vijon sulmin që e nisën të tre së bashku ndaj Partisë Demokratike një vit e gjysmë më parë. Sulm i mirëkordinuar nga të tre. Haptazi dhe fshehurazi. Me media dhe para. Me kërcënime e me shantazhe.”
Arsyen e këtij sulmi, Alibeaj e ndau edhe me mbështetësit e tij të degës 11 në Laprakë, të cilët i ftoi që në 14 Maj të votojnë Roland Bejkon.
“Kërkon të zhdukë Partinë Demokratike, kërkon të zhdukë dhe atë që mbetet prej saj, ta marrë e ta bashkojë me foltoristët që i shkojnë nga pas, të gënjyer ose të lidhur me interesa korruptive me Sali Berishën, për ta përdorur si bunker antiamerikan në Shqipëri”.Për Alibeajn, çdo votë për Berishën, shkon për pazarin e radhës të Ilir Metajt, siç e quan ai ish-Presidentin.
“Parti të rithemeluar me Ilir Metën?! e 2013-ës që ka përçudnuar edhe vet simbolet e demokratëve. Ke shkuar te shtëpia e pazarxhinjve politikë dhe thjesht dhe vetëm ke pranuar pazarin politik. Në aleancën Meta dhe Berisha, ka vetëm vend për gjeste anti-politike, anti-qytetare dhe anti-qesharake”.
Ndërsa kandidati Roland Bejko prezantoi programin e tij për kryeqytetin, që sipas tij i jep frymëmarrje frymëmarrje turizmit, bujqësisë, arsimit e kulturës.




