Aktualitet

Tensionet Kosovë-Serbi/ Escobar: Zgjidhja, propozimi i perëndimit!

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, foli për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilat tha se zgjidhja është propozimi i bërë nga perëndimi. Escobar tha se dalja nga kriza është plani trepikësh i prezantuar nga Bashkimi Evropian, ndërsa shtoi se pasojat nuk janë masa ndëshkuese për Kosovën.

“Ne kemi indikacione pozitive se presidenti serb, Aleksandar Vuçiç është i gatshëm ta pranojë, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duhet të bindet pak më shumë. Shpresojmë që Kurti në një moment të përmbushë kërkesat evropiane dhe amerikane. Pasojat nuk janë masa ndëshkuese, por janë mundësi të humbura për të dyja vendet nëse refuzojnë propozimin për dalje nga kriza. Partneriteti ynë me Kosovën është partneritet me popullin e Kosovës, jo me një parti apo figurë politike. Përkushtimi ynë ndaj KFOR-it dhe investimi në të ardhmen e Kosovës mbetet i fortë”, tha Escobar.

Kujtojmë se Serbia dhe Kosova në muajin shkurt e pranuan Planin evropian për normalizimin e marrëdhënieve dhe në muajin mars në Ohër Aneksin për zbatimin e asaj marrëveshjeje.

Në tekstin e marrëveshjes thuhet se të dyja palët do të zhvillojnë “marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë të bazuar në të drejta të barabarta”, se “do të njohin reciprokisht dokumentet dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore” dhe se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button