Aktualitet

E FUNDIT :Arrestimi i zyrtarëve të bashkisë, Rama: Bashkohem me qëndrimin e Veliajt, mbështetja jonë për SPAK, jo propagandë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një postimi të gjatë në X –dikur Twitter ka dalë në mbështetje të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj “në mesazhin e drejtëpërdrejtë lidhur me ndalimin nga SPAK-u të disa ish-drejtorëve e drejtorëve të bashkisë!”.

Ai thekson se “ky i sotmi është përsëri rasti për të thënë me zë të lartë, se mbështetja jonë për SPAK-un nuk është propagandë, po vullnet i hekurt politik; qëndrimi ynë pa koment, sa herë SPAK-u godet brenda strukturave të ekzekutivit në çdo nivel, nuk është strukje, as frikë, po shprehje shembullore e vijës së kuqe mes nesh, partisë që qeveris e udhëheq Reformën në Drejtësi dhe Drejtësisë së Re që ka të gjithë mbështetjen tonë’.

Kreu i qeverisë thekson se “goditjet e SPAK-ut ndaj kujtdqoftë në radhët e ekzekutivit, në çdo nivel të qeverisjes, që ka shkelur ligjin dhe ka tradhëtuar misionin tonë në shërbim të këtij vendi e të këtij populli, ne nuk i përjetojmë si gjëma, as si fajësi kolektive, po si një ndihmë të paçmuar në një luftë kundër korrupsionit, të cilën deri dje nuk e bënim dot sa e si duhej, pikërisht sepse mungonte krahu i drejtësisë së pavarur!”.

Sipas kryeministrit, edhe kjo çështja më e fundit e disa ish-zyrtarëve e zyrtarëve të bashkisë Tiranë, edhe “qëndrimi i drejtë i Erionit sot, me të cilin bashkohem fjalë e presje, dëshmojnë edhe njëherë se ne as nuk e kontrollojmë SPAK-un, as nuk kemi ndërmend të ndryshojmë qasjen fuqimisht mbështetëse për SPAK-un”.

Gjithashtu, “as nuk komentojmë çfarëdoqoftë lidhur me vërtetësinë e akuzave të SPAK-ut, për këdoqoftë që SPAK-u merr të pandehur dhe as nuk kemi asnjë lidhje me dokrrat e segmentit politik e mediatik, që prodhon përditë baltë e helm në seanca parlamentare, shfaqje televizive e kanale digjitale, ku lloj-lloj pjellash të mendësisë së errët inkuizicionale, na bëjnë gjyqe si ato të komunizmit, duke u përpjekur të na fusin të tërëve në çdo trastë e thes korrupsioni që hapet nga SPAK-u!”.

Rana ravijëzon se janë në këtë detyrë “për të bërë Shqipërinë Europiane 2030 me reforma të vërteta, përpjekje të mëdha, vendosmëri absolute dhe me të gjitha forcat e ekzekutivit, gjyqësorit dhe legjislativit, ku punët janë të ndara e ku lavdi Zotit, popullit që e mbështeti fuqimisht hapjen e rrugës së Reformës në Drejtësi dhe Partisë Socialiste, e cila i hyri detit në këmbë për ta hapur këtë rrugë”.

“Tanimë s’jemi më vendi ku për 100 e kusur vite nuk u hetua e gjykua kurrë nga një drejtësi e pavarur, as edhe një person me pushtet politik a lidhje me të! Prandaj qentë le të lehin, Shqipëria do të shkojë përpara, me qeverinë e Partisë Socialiste që do të ecë vetëm përpara, me Drejtësinë e Re që duhet të vazhdojë vetëm përpara, pa i lënë kusur askujt që përdor flamujt e partive, majtas e djathtas, lart apo poshtë, për të nxjerrë përfitime të paligjshme për veten a të afërmit e vet, duke punuar për shtetin me një xhep të dukshëm për të ardhurat nga puna dhe me një xhep të fshehtë për paratë e marra me korrupsion”.

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button