“Banesat e dy emrave të ekranit u kontrolluan nga SPAK”, Karamuço: Hetuesit janë llahtarisur nga ato që kanë parë

Karamuço i ftuar mbrëmjen e djeshme tek “Top Story” me Grida Dumën tregoi se së fundmi janë kontrolluar nga SPAK banesat e dy personazheve të ekranit, ku i janë sekuestruar telefona dhe pajisje të tjera komunikimi.
Sipas Karamuços, disa politikanë të lartë janë nën hetim për transaksionet dhe pasuritë që ata zotërojnë.
Karamuço: Meqë jemi tek korrupsioni, aktualisht është duke u zhvilluar një kontroll i madh në disa banesa në Tiranë nga ana e SPAK-ut. Dy prej tyre i përkasin njerëzve që ne i njohim në ekranet tona. Njërit prej tyre dje në njërën prej shtëpive i janë bllokuar celularë dhe pajisje të tjera të komunikimit.
Grida Duma: Si i njohim në ekranet tona, në çfarë kuptimi?
Karamuço: Janë njerëz të ekranit që dyshohet se janë të lidhur me politikanë shumë të lartë të vendit dhe mendohet që mund të jenë bërë bashkëpunëtorë për pastrimin e produkteve të veprave penale. Ndërkohë është edhe një grua e moshuar e cila po hetohet si latifondistja më e madhe e rrethinave të Tiranës mbas Toptanësve, por e viteve të fundit që ka toka pafund deri në Rinas.




