Bora zbardh Shqipërinë – një përditësim mbi trafikun dhe gjendjen e rrugëve

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka njoftuar se gjatë natës kanë filluar reshjet e borës në zonën veriore dhe në zonën juglindore të vendit.
Në njoftim thuhet se në Rajonin Verior në akset Bajram Curri-Valbonë, Ura e Zapodit-Shishtavec, Pukë-Fushë Arrëz-Kalimash, Kukës-Bushtricë, Kukes-Krumë, Qafë Mali -Fierzë, Ura Bujan-Qafë Morinë gjatë natës ka pasur reshje bore me intensitet të lartë, mjetet borëpastruese kanë vijuar punën pa ndalur qarkullimi kryhet pa probleme.
Sipas ARRSH-së në segmentin Klos-Peshkopi ka pasur reshje të borës shoqëruar me erë të fortë rekomandohet përdorimi i zinxhirëve. Në Rajonin Jugor në Qafë Thanë dhe në K/Podgorie-Liqenas në mëngjes kanë filluar reshjet e borës me intensitet mesatar, rrugët janë të pastruara dhe qarkullimi kryhet pa probleme.
“Drejtuesit e mjeteve të kenë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit për shkak të lagështisë në rrugë, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhir kur udhëtojnë për në zonat malore me prezencë bore”, apelon ARRSH.




