Aktualitet

Hyn në fuqi ligji për bashkëpronësinë në pallate, masa dhe gjoba për shkelësit! Ja rregullat e reja për çdo banor

Në një vend ku bashkëjetesa në pallate shpesh ka qenë burim konfliktesh, mungesë mirëkuptimi e mbi të gjitha paqartësish ligjore, qeveria ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt vendosjes së rregullave të qarta e të zbatueshme.

Ligji i ri Nr. 55/2025 “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa”, i miratuar më 3 korrik dhe publikuar në Fletoren Zyrtare sjell një frymë të re në mënyrën sesi ndërtohet, menaxhohet dhe mirëmbahen bashkëpronësitë në pallate.

Ligji i ri zëvendëson ligjin e vjetër të vitit 2009, i cili në shumë raste kishte mbetur në letër. E reja që sjell ky ligj është se çdo ndërtesë ku ka më shumë se një pronar nuk mund të jetë më “pa zot”.

Bashkëpronësia trajtohet si një marrëdhënie e detyrueshme ligjore, dhe jo më si çështje vullneti apo mirëkuptimi mes fqinjëve.

Çdo hapësirë e përbashkët: nga shkallët, ashensorët, garazhet, tarracat, bodrumet, deri te fasadat, oborret apo lulishtet e përbashkëta do të kenë një status të qartë në dokumentacionin kadastral. Për herë të parë, këto do të regjistrohen si pasuri në bashkëpronësi në emër të të gjithë banorëve, duke mbyllur kështu derën për abuzime dhe keqinterpretime.

ROLI I ADMINISTRATORIT

Në thelb të ligjit të ri është krijimi i një strukture të organizuar të administrimit. Tanimë, çdo pallat duhet të ketë një administrator – qoftë një nga banorët, qoftë një shoqëri e specializuar, regjistruar dhe certifikuar nga bashkia.

Administratori do të jetë përgjegjës për mirëmbajtjen, pastrimin, riparimet, kontratat me furnitorë të jashtëm, dhe mbi të gjitha për përfaqësimin ligjor të ndërtesës.

Ai do të nënshkruajë kontrata, do të mbledhë kuotat e mirëmbajtjes dhe do të raportojë çdo vit për shpenzimet. Edhe më shumë, kontrata me të është e detyrueshme dhe ka një afat minimal prej tre vitesh – për të siguruar vazhdimësi dhe jo ndryshime të shpeshta për interesa personale.

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button