“Më i gjati mes liderëve por drejtoj një vend të vogël”/ Rama për “BBC Radio 4”: Si e ndalëm trafikun e shqiptarëve me gomone

Gjatë qëndrimit në Londër, kryeministri Edi Rama dha një intervistë për emisionin “The World Tonight” në BBC Radio 4, ku ka treguar se si bashkëpunimi me Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe uli në 95% numrin e shqiptarëve që mbërritën me gomone në Mbreterinë e Bashkuar.
“Për një kohë të gjatë, informacioni zvarritej nëpër kanale të ndryshme, kështu që shpejtësia e reagimit ishte krejtësisht e papranueshme. Agjencitë kishin shumë keqkomunikim, prandaj gjithmonë kam thënë: dëgjoni, nëse duam sukses në këtë, duhet të përgjigjemi njëlloj. Duhet të jemi po aq të shpejtë sa ata, dmth trafikantët. Duhet të jemi po aq interaktivë sa ata, duhet të jemi po aq të bashkuar sa ata, sepse nuk është fjala për një grup të vetëm etnik që merret me të gjithë rrjetin, por për një ndërmarrje shumëkombëshe.
Prandaj, ne jemi dy vende: sillni disa nga njerëzit tuaj në Shqipëri dhe ne nisim punën, dhe ne sjellim disa nga njerëzit tanë në Britani dhe nisim punën, dhe kjo është ajo që bëmë. Ne krijuam praktikisht një ekip të përbashkët”, u shpreh kreu i qeverisë.
I pyetur për marrëveshjen e refugjatëve me Italinë, e cila pati kundërshtime të shumta, përfshirë edhe vendime gjyqësore përtej Shqipërisë, Rama ndër të tjera tha:
“Le ta respektoj BBC-në siç e meriton, duke ju dhënë përgjigjen time shumë të sinqertë. Me Italinë ishte një marrëveshje unike, kjo ndodhi për shkak të marrëdhënies sonë shumë të veçantë me Italinë, dhe në atë marrëveshje e bëra shumë të qartë: ne i ofrojmë Italisë një copë toke tonën që ju ta menaxhoni për projektin tuaj. Ajo copë toke është juridiksion italian. Ne thjesht po ju ofrojmë këtë copë toke sepse ju jeni të veçantë për ne. Pjesa tjetër e pyetjes suaj ka të bëjë me këtë ide të qendrave të kthimit. Kjo nuk është zgjidhja.
Në rastin e Shqipërisë dhe Italisë, ka kuptim sepse është vetëm një det që ndan dy vendet tona. Por të marrësh njerëz në tokë, t’i futësh në një avion, t’i sjellësh diku mijëra kilometra larg, në një vend të tretë, po, mund të ketë një efekt parandalues, por nuk do ta ndalojë imigracionin në mënyrën e duhur. Sepse në fund të ditës, ka një pyetje që Europa në përgjithësi, por edhe Britania në këtë rast, duhet ta përgjigjet. A është imigracioni një problem apo është pjesë e zgjidhjes? Dhe unë besoj se është pjesë e zgjidhjes, sepse demografia është alarmante. Dimri demografik për pjesën e vjetër të Europës dhe për Britaninë është shumë, shumë i pranishëm. Dhe nevoja për fuqinë punëtore dhe për fuqinë punëtore të kualifikuar dhe për njerëz që janë gati të bëjnë të gjitha llojet e punëve është e madhe”.
Më pas kryeministri Rama u pyet se, “nëse i kërkohet këshillë nga qeveria në Londër për të trajtuar çështjet e veçanta që përballet Britania, cila do të ishte ajo?”.
“Dëgjoni, unë jam më i gjati mes të gjithë liderëve deri tani në këtë pjesë të botës, por jam shumë i vetëdijshëm që udhëheq një vend shumë të vogël, dhe është e pamundur për mua të vendos veten në vendin e Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar.Dhe, duke parë se si po shkojnë gjërat në Mbretërinë e Bashkuar, jam shumë i lumtur që jam Kryeministri i Shqipërisë”, u përgjigj Rama.
Kryeministri Edi Rama ishte në Britaninë e Madhe si pjesëmarrës në Samitin e Londrës, në kuadër të Procesit të Berlinit, së bashku me liderë të tjerë të Ballkanit Perëndimor.




