SHJAK : Z.Arbana, pas takimit të Kryeministrit me kryebashkiakët inkurajon shijakasit të investojnë në tokën e tyre përmes “Paketës së Maleve”

Z.Arbana, pas takimit të Kryeministrit me kryebashkiakët inkurajon shijakasit të investojnë në tokën e tyre përmes “Paketës së Maleve”
Në një postim në rrjetet sociale, kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana ka bërë thirrje për shijakasit dhe emigrantët që të investojnë në tokën e tyre përmes “Paketës së Maleve”. Pas takimit me Kryeministrin Edi Rama dhe kryetarët e tjerë të bashkive, Z.Arbana bëri të ditur se Bashkia Shijak ka miratuar zonat prioritare të zhvillimit, duke hapur rrugën për projekte agroturizmi dhe ferma që do të përfitojnë përjashtime nga tatimet dhe taksat për 10 vitet e para.
Postimi i plotë:
Në takimin me Kryeministrin Edi Rama dhe kryetarët e tjerë të bashkive për “Paketën e Maleve” një perspektivë e re për ata që duan të investojnë tek Shqipëria Turistike.
Në Bashkinë e Shijakut procesi ka ecur përpara duke miratuar zonat prioritare.
“Paketa e maleve” i është përcjellë dhe Ministrisë së Pushtetit Vendor sipas udhëzimit nr.2 datë 15.10.2025 me datë 21.10.2025
Këshilli bashkiak ka miratuar vendimin nr.40 “Për miratimin e zonave prioritare të zhvillimit në territorin e bashkisë Shijak në zbatim të ligjit “Për Paketën e Maleve”
Në miratim janë përcaktuar si zona prioritare të zhvillimit fshatrat: Gjepalaj, Eminas i Vogël, Shahinaj, Çizmeli, Shetel, Rrubjeke, Shtrazë, Kënetë, Guzaj, Karpen, Metallaj, Bodinok, Bilalas, Karreç.
Dua t’i bëj thirrje shijakasve dhe emigrantëve se kjo është një mundësi e artë për ata që kanë tokën dhe duan të investojnë duke ndërtuar një agroturizëm apo një fermë.
Paketa parashikon përjashtime nga tatimet dhe taksat për 10 vitet e para për 500 përfituesit e parë, përfshirë përjashtimin nga TVSH-ja, tatimi mbi fitimin, taksa e pronës dhe ajo e ndikimit në infrastrukturë.
Mund të përfitojnë pronarët faktikë dhe ata që nuk kanë dokumentacion të plotë, por që kanë tokën dhe e përdorin atë.
Falenderoj stafin e bashkisë, grupet e terrenit që zhvilluan dëgjesa publike me qytetarët si dhe Këshillin bashkiak që një zëri dakordësuan për ta çuar përpara këtë zhvillim të Shijakut tonë të bukur.
Investo në tokën tënde!




