Aktualitet

Ministri Vengu: Tre Gjeneralë Të Rinj I Shtohen Lidershipit Të Forcave Të Armatosura

Këtë të premte, në mjediset e Shtabit të Përgjithshëm u zhvillua ceremonia e gradimit të tre gjeneralëve të rinj të Forcave të Armatosura.

Grada madhore “Gjeneral Brigade”, me dekret të presidentit të Republikës Bajram Begaj, iu akordua kolonelëve Razije Mehmeti, Fatmir Neziraj dhe Edmond Voci, në vlerësim të kontributit të tyre në drejtimin dhe zhvillimin e Forcave të Armatosura.

Në ceremoni morën pjesë ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji, si dhe drejtues të tjerë të lartë ushtarakë dhe civilë.

Gjatë fjalës së tij, Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu u shpreh se niveleve drejtuese të Forcave të Armatosura u shtohen tre gjeneralë të rinj, të cilët përfaqësojnë tre rrugëtime të veçanta në forcë dhe tre profesionistë të dedikuar ndaj uniformës dhe Atdheut.

Ai u uroi suksese në këtë përgjegjësi të re, duke theksuar se me përkushtimin e tyre do t’i shtojnë vlera forcës dhe do të shërbejnë si shembull frymëzimi për ushtarakët e rinj.

Sipas tij, gradimi i tre gjeneralëve konsiderohet një hap i rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve drejtuese të Forcave të Armatosura dhe në vijimin e procesit të modernizimit të tyre.

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button