Aktualitet

Të shtëna me armë zjarri në Golem, 38-vjeçari thyen masën e arrestit shtëpiak dhe përplaset me Policinë

Të shtëna me armë zjarri raportohet të jenë dëgjuar mbrëmjen e kësaj të mërkure në Golem, ku disa punonjës policie janë përplasur me një shtetas i cili kishte thyer masën e arrestit shtëpiak.

Sipas Policisë, gjatë patrullimit në Golem është konstatuar shtetasi Adis Barzezi, 38 vjeç, i cili ishte i shoqëruar me persona të tjerë, dhe është ndaluar për verifikim, pasi njihej nga Policia që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Punonjësit e Policisë, gjatë verifikimit, i kanë kërkuar arsyen e thyerjes së masës së sigurisë dhe i kanë komunikuar se do të shoqërohej në ambientet e Komisariatit të Policisë Kavajë për veprime të mëtejshme.

Në këtë moment 38-vjeçari dhe kunati i tij, shtetasi A. Sh., 23 vjeç, kanë kundërshtuar me forcë shërbimet e Policisë, të ndihmuar edhe nga persona të tjerë, familjarë të tij.

Për të siguruar zmbrapsjen e tyre, punonjësi i Policisë me detyrë Ndihmësspecialist në Postën e Policisë Golem ka qëlluar me armën e shërbimit, pistoletë, një herë në ajër.

Pas të shtënave, të rinjtë janë neutralizuar dhe shoqëruar në komisariatin e policisë, për veprime të mëtejshme proceduriale.

Veprimet hetimore për këtë rast po kryhen nga Oficeri i Policisë Gjyqësore i Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës. Ndërkohë thuhet se është njoftuar edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për rastin.

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button