VIDEO/ “Dardanët”, një hap larg Kupës së Botës, rrugët e Prishtinës “ziejnë” nga tifozët

Sytë e të gjithë shqiptarëve janë sot në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ të Prishtinës, aty ku në orën 20:45 nis finalja play-off mes Kosovës dhe Turqisë. Ndeshja teke do vendos se cila mes dy skuadrave do jetë pjesë e Grupit D të Botërorit. Vetëm dhjetë vite pas pranimit në FIFA dhe UEFA, Kosova sheh një nga arritjet më të mëdha në futboll, teksa grupet e Kupës së Botës do ishin realizimi i një ëndrre të kahershme për ‘Dardanët’.
Kosova do ketë një mbështetje të madhe sot, ndërsa stadiumi “Fadil Vokrri” duket shumë i vogël për kërkesat e shumta për bileta. Diçka më pak se 14 mijë tifozë do jenë në stadium, ndërsa 700 prej tyre janë nga Turqia. Edhe pse pa bileta, mijëra tifozë kanë udhëtuar edhe nga Shqipëria drejt Prishtinës, duke treguar një mbështetje për vëllezërit që mund të shkruajnë historinë.
Sa i takon formacionit, trajneri Foda nuk pritet të bëjë shumë ndryshime nga ndeshja e fundit. Me skemën 5-3-2 që mund të kthehet edhe në 4-4-2, bie në sy sulmi shumë i mirë me Muriqin e Mallorcas dhe Fisnik Asllanin e Hoffenheim.




