Aktualitet

Zhdukja e vajzës shqiptare në Greqi, flet avokati: Po mbahet peng nga dy burra

Zhdukja prej më shumë se dy muajsh e 19-vjeçares shqiptarei, Artemis Vasili në Greqi, vazhdon të mbulohet nga misteri.

E reja rezulton e zhdukur që prej 16 tetorit 2020 në Koropi, teksa familjes i kishte thënë se po shkonte për të dhënë një intervistë pune, por nuk u kthye më.

Rasti i një kufome femër që u gjet në një valixhe, e cila përfundimisht rezultoi se i përkiste një gruaje 38-vjeçareje kineze, trishtoi familjen e 19-vjeçares, pasi kishin frikë se trupi i pajetë mund të ishte i Artemis, por për fat të mirë nuk u konfirmua.

Ndërkohë, Anastasios Dougas, avokati i familjes, thotë në protothema.gr se ka informacione se vajza është duke u mbajtur pa dëshirën e saj nga dy burra. Ai nuk përjashton mundësinë që ata të kenë bërë ndryshime në pamjen e 19-vjeçares.

“Informacioni që kemi është se ajo po mbahet nga dy burra kundër vullnetit të saj. Në fakt, ata e kanë parë atë në Volos dhe Athinë, është saktësisht e njëjta dëshmi. Pas dimensionit që ka marrë çështja, mendoj se mund të ketë pasur disa ndryshime në pamjen e 19-vjeçares, mund t’i kenë prerë flokët, mund t’i kenë vendosur paruke, nuk e di. Hetimet janë duke vazhduar dhe apeli ynë është që kushdo që di asgjë, të flasë edhe në mënyrë anonime”, tha Dougas.

Sipas mediave greke, vajza kishte nisur të kërkonte punë kohët e fundit, sepse donte që të ishte e pavarur financiarisht nga familja.

Ajo kishte kryer disa intervista pune në një zinxhir të madh dyqanesh për lodra dhe shtëpish në zonën e Koropit ku banonte.

Ajo po përpiqej të gjente një punë dhe të vendoste themele të reja në jetën e saj pas ndarjes nga partneri i saj në verë.

Megjithatë, autoritetet e policisë po verifikojnë tërësisht çdo provë që kanë në zotërim dhe shpresojnë që misteri i zhdukjes të zgjidhet së shpejti.

voradmin

Misioni i Vora News është informimi i publikut duke u nisur nga disa kritere: depolitizimi, angazhimi për paanësi dhe ndershmëri do të jetë një kategori e re dhe e identifikueshme e gazetarisë ku qëllimi i saj është të sigurojë një analizë të saktë dhe të paanshme të deklaratave, në mënyrë që të korrigjojë perceptimet e gabuara tek audienca dhe të rrisë njohuritë e publikut mbi çështje e rendesishme te aktualitetit. Gazetaria drejt rikthimit tek misioni i saj!
Back to top button