Sëmundja boshatis dy pularitë në Durrës, reagon zyrtarisht ministria: Prek kryesisht shpendët, nuk ka rrezik për njerëzit

Ministria e Bujqësisë ka reaguar ditën e sotme në lidhje me ngordhjen e një numri të lartë shpendësh në dy pulari në qytetin e Durrësit.
Sipas njoftimit zyrtar të ministrisë nuk bëhet fjalë për grip shpendësh, por për një tjetër sëmundje, të quajtur “laringotrakeiti infektiv”. Kjo sëmundje prek rrugët e sipërme të frymëmarrjes së shpendëve.
Nga ana tjetër, ministria bën me dije se nuk ka asnjë rrezik që kjo sëmundje të kalojë nga shpendët te njerëzit.
“Deri më tani raportohen rreth 200 mijë shpendë të ngordhura. Janë kryer pranë ISUV analizat në bazë të mostrave të marra. Sipas të dhënave të deritanishme rezultatet tregojnë sëmundjen e Laringotrakeitit infektiv në shpendë.
Është një sëmundje që prek kryesisht shpendët. Laringotrakeiti infektiv nuk është një sëmundje zoonotike dhe nuk transmetohet te njerëzit dhe as nëpërmjet produkteve ushqimore nga shpendët, për pasojë nuk përbën rrezik për shëndetin publik.
Është e rëndësishme të theksojmë dhe të sigurojmë konsumatorët se deri më tani nuk ka asnjë rast ku të jetë shfaqur influence aviare (gripi i shpendëve)”, thekson ministria, teksa shton se në subjektet e tjera shpendrritëse për vezë e mish, në të gjithë territorin e vendit, AKVMB ka marrë masa të menjëhershme për parandalimin e përhapjes së sëmundueshmërisë dhe deri më tani nuk është raportuar asnjë rast.
Lajmi është bërë publik ditën e djeshme, teksa ka sjellë dhe një reagim të menjëhershëm dhe nga ana e AKU-së.




