Tre persona rrahin brutalisht shefin e Policisë bashkiake të Bulqizës. Njëri i dënuar për vrasje

Shefi i policisë së Bulqizës është rrahur brutalisht, dhe Policia ka shpallur në kërkim autorët. Ngjarja për të cilën tre shtetasit akuzohen ka ndodhur në aksin rrugor Bulqizë-Fushë Bulqizë. Mësohet se treshja në fjalë kanë goditur me grushte 35-vjeçarin që ishte duke ushtruar detyrën si kryepolic i bashkisë. Nga ana e policisë vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e 3 autorëve, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
“Goditën me grushte, për shkak të detyrës, shefin e Policisë Bashkiake Bulqizë, Policia identifikon dhe shpall në kërkim 3 autorët e dyshuar. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, pas marrjes së njoftimit për një konflikt mes disa shtetasve, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin e autorëve dhe sqarimin e rrethanave të konfliktit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale, shërbimet e Policisë kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasit F.T, 45 vjeç, D.-T, 18 vjeç dhe E.K, 25-vjeç, të tre banues në Bulqizë.
Këta 3 shtetas, në aksin rrugor Bulqizë-Fushë Bulqizë, janë konfliktuar dhe kanë goditur me grushte, për shkak të detyrës, shtetasin E.L, 35-vjeç, banues në Bulqizë, me detyrë shef i Policisë Bashkiake Bulqizë. Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”,-thuhet në njoftimin e Policisë.




