Viti i ri akademik, 120 mijë studentë shkojnë sot në auditore

Viti i ri akademik ka nisur zyrtarisht këtë të hënë, datë 2 Tetor. Janë rreth 120 mijë studentë që u drejtohen sot auditorëve, në të dyja ciklet e studimit, Bachelor dhe Master, ndërsa 19,800 studentë janë për herë të parë.
Institucionet publike mbeten më të preferuara, me 75% e totalit të regjistrimeve janë në publik dhe pjesa tjetër në privat.
Degët e shëndetësisë janë ato për të cilat studentët kanë shprehur interes të lartë dhe sidomos ajo e infermierisë së përgjithshme. Megjithatë, këtë vit për këta studentë do të aplikohet për herë të parë një kontratë me shtetin, që ata të punojnë 5 vite në Shqipëri dhe më pas të tërheqin diplomën.
Kjo bëhet për të frenuar ikjen e profesionistëve të mjekësisë, pasi vendet evropiane kanë nevojë për infermierë dhe mjekë të rinj.
Pikërisht ky ligj i vendosur nga qeveria shqiptare në përfundim të vitit akademik që sapo lamë pas, ka bërë që studentët të ngrihen në protesta. Edhe sot, studentët e degës së Mjekësisë së Përgjithshme që janë në proces kanë paralajmëruar protestë.
Ata nuk pranojnë të kontratën me Ministrinë e Shëndetësisë që i detyron të qëndrojnë në Shqipëri pas përfundimit të studimeve, për të ushtruar profesionin, dhe as tarifën që duhet të paguajnë nëse zgjedhin të largohen.
Në këtë vit akademik, interes ka pasur dhe në degët e bujqësisë ku dhe është shënuar një rritje të numrit të studentëve. I ulët mbetet numri i studentëve apo maturantëve që kanë zgjedhur degët e mësuesisë. Në Kimi, Fizikë dhe Matematikë, regjistrimet janë në nivele minimale.




