Arrestohet Jamarbër Malltezi, dhëndri i Sali Berishës

Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, është arrestuar nga policia mbrëmjen e kësaj të shtune të 21 tetorit.
Arrestimi i tij është bërë sapo ka mbërritur në aeroportin e Rinasit dhe dyshohet se ka lidhje me aferën e privatizimit të klubit “Partizani”.
Malltezi ka qenë në qendër të akuzave, pasi në nëntor të 2020-s, ish-kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, dorëzoi një kallëzim penal në SPAK, për privatizimin e kompleksit “Partizani”.
Balla ngriti akuzë ndaj Berishës, ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, anëtarëve të tjerë të qeverisë së drejtuar nga Berisha dhe Jamarbër Malltezit.
Ky i fundit akuzohet si përfitues direkt i kësaj prone.
Çështja është regjistruar për veprën penale të parashikuar nga neni 287 të Kodit Penal që parashikon “pastrim të produkteve të veprës penale”.




